Kushti i pestë i besimit është besimi në jetën tjetër. Ashtu sikurse nje­rëzit dhe krijesat e tjera kanë një fund, po ashtu edhe bota në të cilën jetojmë ka një fund. Kur të vijë koha e caktuar nga Allahu, engjëlli i ngarkuar me këtë detyrë, Israfili, do t’i fryjë një objekti që quhet Sur dhe nën ndikimin e tmerrshëm të tingujve që do të krijohen, do të vdesin të gjitha krijesat (me përjashtim të atyre që Allahu dëshiron të mos vdesin), do të prishet rregulli i qiejve dhe tokës, si dhe gjithësia do të marrë një formë të re.

Pasi të kalojë një farë kohe nga kjo ngjarje që quhet Kiamet, Israfili do ti fryjë me urdhrin e Allahut për të dytën herë Surit, të gjithë njerëzit do të ri­ngjallen dhe do të grumbullohen në vendin e quajtur Mahsher. Këtu të gjithë do të dalin përpara Allahut dhe do të japin llogari për atë që kanë punuar në këtë jetë. Çdo njeriu do t’i jepet regjistri i tij i veprave ku engjëjt Kiramen Katibin, kanë regjistruar çdo vepër që ai ka punuar në tokë. Ai aty do të shohë dhe do të lexojë çdo imtësi në regjistrin e tij të veprave.

Të gjitha gjynahet që janë bërë në këtë tokë, haptazi apo fshehtazi do të dalin në shesh, do të peshohen veprat e mira dhe ato të këqija në peshoren e drejtësisë dhe njeriu do të gjykohet në varësitë asaj që ka punuar në këtë jetë.

Njeriu do të korrë në jetën tjetër atë që ka mbjellë në këtë jetë, drejtësia hyj­nore do të vihet në vend dhe askujt nuk do t’i bëhet as padrejtësia më e vogël.

Profeti ynë i dashur (a.s.), na ka mësuar:

“Ditën e Kiametit njeriu nuk do të largohet nga audienca e Allahut pa dhënë më parë llogari për këto katër gjëra:

– Ku e ka kaluar jetën,

– Si e ka përdorur fuqinë e tij fizike,

– Si e ka fituar pasurinë dhe ku e ka shpenzuar atë,

– Sa ka punuar me ato që ka ditur.” (Et-Tergib vet-terhib, vol. 1, fq. 125.)

Periudha që fillon me ringjalljen dhe vazhdon deri në përjetësi quhet jeta tjetër. Besimi se të gjithë njerëzit do të ringjallen pasi të kenë vdekur dhe se ekziston jeta tjetër e përjetshme, është një nga bazat më të rëndësishme të imanit.

Share.

Comments are closed.