Ebu Jahja Suhejb Ibni Sinan (r.a.), transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë:

“E çuditshme është çështja e besimtarit, sepse çdo gjendje e tij është mirësi për të dhe kjo është e tillë vetëm për të. Nëse besimtarit i ndodh një gëzim, ai falënderon (Allahun) dhe kjo i sjell dobi. E nëse e godet e keqja, ai bën durim (sabër), dhe po ashtu, edhe kjo i sjell dobi.”

(Muslim, Zuhd, 64.)

Suhejb-i Rumi (r.a.).

Transmetuesi i këtij Hadithi, Suhejb Ibni Sinan (r.a.), ka qenë një sahab i njohur edhe me emrin Suhejb-i Rumi. Gjatë fëmijërisë, në fillim ra rob tek Bizantinët, e më pas tek arabët. Gjatë kohës që ishte në Mekë si aleati i Ibni Xhed’anit, ai mësoi Islamin prej Amar Ibni Jasirit (r.a.) dhe u bë menjëherë mysliman. Për rrjedhojë, ai ka qenë edhe prej myslimanëve të parë që janë torturuar për shkak të fesë. Më pas, duke ia lënë idhujtarëve gjithçka që kishte e nuk kishte, emigroi në Medinë me vështirësi të mëdha, ku edhe u sëmur. Kur i Dërguari i Allahut (a.s.), e nderoi Medinën me ardhjen e tij, Suhejbi (r.a.), ia paraqiti hallin atij. Ndërsa i Dërguari i Allahut (a.s.), pasi lexoi ajetin, “Ka njerëz që e shesin veten, për të fituar kënaqësinë e Allahut!..” [Bekare, 207.], e përgëzoi Suhejbin (r.a.), duke i thënë: “O Ebu Jahja! Ti nuk ke dalë me humbje nga kjo tregti!” (shih. Hakim, el-Mustedrek, III, 398.)

Suhejbi (r.a.), i cili ishte shumë i zoti në gjuajtjen me shigjeta, ka marrë pjesë në të gjitha betejat bashkë me të Dërguarin e Allahut (a.s.). Gjatë ditëve kur kalifes Omer (r.a.), iu bë atentat, ai mori përsipër detyrën e kalifes për tre ditë me radhë, si zëvendës i tij, me kërkesën e vetë Omerit (r.a.).

Suhejbi (r.a.), kishte trup mesatar, lëkurë të kuqe, belbëzonte lehtë dhe ishte shumë bujar. Një ditë, Omeri (r.a.), i tha me shaka:

“Megjithëse nuk ke djalë, të thonë Ebu Jahja (babai i Jahjas), thua se je prej arabëve dhe gostit me ushqime të shumta. A nuk është shpërdorim ky?” Ndërsa ai u përgjigj:

“Emrin Ebu Jahja ma ka vendosur i Dërguari i Allahut (a.s.). Unë jam prej popullit të Musulit, nga dinastia e Nemir Ibni Kasit. Mirëpo, kam rënë rob që në moshë të vogël dhe e kam humbur familjen dhe popullin tim. I gostit njerëzit me shumë ushqime sepse i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë: «Më të mirët prej jush, janë ata që ushqejnë të tjerët dhe japin selam!»” (shih. Ahmed, b. Hanbel, Musned, I, 16.)

Suhejb-i Rumi, e ka kaluar jetën me sakrifica të mëdha në rrugën e Allahut. Ai ndërroi jetë në vitin 38 Hixhri, kur ishte 73 vjeç dhe është varrosur në varrezat Baki në Medinë.

Allahu qoftë i kënaqur me të!

Shpjegime

Në këtë Hadith fisnik, të transmetuar prej këtij sahabi të madh e të vuajtur, i cili është keqtrajtuar brutalisht nga ana e idhujtarëve të Mekës, i Dërguari i Allahut (a.s.), tërheq vëmendjen në gjendjen për t’u pasur zili të besimtarit, për të cilin çdo gjendje është mirësi. Për rrjedhojë, me anë të këtij Hadithi, Profeti ynë (a.s.), i fton besimtarët të jenë durimtarë dhe falënderues.

Dihet se mirësitë, fitimi, jeta e lumtur dhe optimizmi për të ardhmen, janë dëshirat themelore të njeriut. Është e pamundur të mendosh një njeri, i cili është i kënaqur me të keqen, dëshpërimin dhe humbjen, sepse diçka e tillë, është në kundërshtim me natyrën njerëzore.

Përkrah kësaj, dihet edhe se kjo botë është vendi i vuajtjeve, i vështirësive, i problemeve dhe i kontradiktave. Për këtë arsye, gjetja e së vërtetës brenda kontradiktave, të jesh i lumtur mes vështirësive dhe të bësh një jetë në rrugë të drejtë pa u mbytur në probleme dhe pa u kapluar nga e keqja, konsiderohet një fat i madh. Ja pra, me pak fjalë, cilësia që e çon njeriun drejt lumturisë dhe suksesit, është besimi, sepse besimi është burim i maturisë në ndjenja dhe sjellje dhe vazhdimësisë në mirësi. Njerëzit i bëjnë gabimet në momentet kur humbasin maturinë dhe vetëpërmbajtjen. Ndërsa besim, do të thotë të krijosh një ndërlidhje me vullnetin hyjnor. Nëse kjo ndërlidhje pëson shkëputje, njeriu përballet me rreziqe, dëme dhe probleme.

Jeta vazhdon si një shirit filmi gëzimesh dhe hidhërimesh. Lazdrimi i tepërt prej gëzimeve dhe hidhërimi i pamasë në përballjen me fatkeqësitë, mund të ndikojë edhe në vullnetin e një besimtari që bën jetë të ekuilibruar, larg teprimeve dhe mund ta shtyjë atë në gabime shumë të mëdha. Besimtari mund të shpëtojë prej këtyre situatave të rrezikshme vetëm duke falënderuar, kur arrin mirësi dhe duke duruar, kur bie në vështirësi.

Ky Hadith, tregon për këtë cilësi të myslimanit të pjekur, e cila e bën atë ndryshe nga njerëzit e tjerë dhe u mëson besimtarëve rrugën më të mirë për të qenë të fortë dhe të lumtur në luftën e jetës.

Reagimet që shfaqin njerëzit përballë ndodhive, janë të ndryshme. Ka njerëz që i kalojnë thjeshtë edhe momentet e gëzimeve më të mëdha, duke të lënë përshtypjen se harrojnë gjithçka, por që reagojnë ashpër për gjëra që nuk të shkon kurrë mendja. Ashtu siç ka njerëz që i përballojnë me durim edhe vështirësitë më të mëdha, ashtu ka edhe njerëz që qajnë e ankohen duke i zmadhuar edhe vështirësitë më të vogla, sikur të ishin fatkeqësi të jashtëzakonshme. Madje, ka edhe nga ata që e teprojnë, duke shkuar deri aty sa t’i marrin jetën vetes -Allahu na ruajt!-.

Nuk duhet harruar se, falënderimi është vullneti për të penguar lazdrimin, teprimin dhe dëmtimin e mirësisë. Ndërsa durimi është një disiplinë që të ruan nga kthimi i një fatkeqësie në një fatkeqësi edhe më të madhe dhe nga arsyetimi i një gjynahu me një gjynah tjetër. Ky Hadithfisnik, na bën të ditur se ky vullnet dhe kjo disiplinë është e veçantë vetëm për besimtarin e pjekur dhe shfaq para nesh ndikimin që ka besimi në reagimet tona.

Po ashtu, nga ky Hadith kuptojmë se, të jesh besimtar, nuk do të thotë që të mos prekesh nga fatkeqësitë dhe vështirësitë . Ashtu si njerëzit e tjerë, edhe besimtari përballet me vështirësi dhe sprovohet. Por, për fat të mirë, ai zotëron një jelek shpëtimi, siç është durimi, që i jep atij mundësinë të shpëtojë prej këtyre vështirësive në çdo situatë.

Shkurtimisht, me qëllim që jeta e kësaj bote të bëhet e jetueshme, kur ajo fillon të bëhet e vështirë, duhet të hyjmë në garë për të qenë besimtarë të mirë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Po ashtu, është e domosdoshme të bëhemi mbështetje për vëllezërit e tjerë besimtarë, në çështjen e të qenit të qëndrueshëm.

Mësimet që nxjerrim prej Hadithit:

  1. Besimi nuk e pengon sprovimin me fatkeqësi dhe vështirësi.
  2. Në sajë të durimit, fatkeqësia mund të kthehet në mirësi.
  3. Ashtu siç falënderimi për mirësitë bëhet shkak për shtimin e mirësive, ashtu edhe durimi ndaj fatkeqësive, bëhet shkak i kthimit të tyre në mirësi.
  4. Falënderimi dhe durimi, të jep mundësinë ta kalosh gjithë jetën në mirësi. Kjo është një mirësi që Allahu ia ka falur besimtarëve.
Share.

Leave A Reply