Vlera e vërtetë e njeriut, i cili është krijuar si shembull i bukurisë, elegancës dhe urtësisë, është devotshmëria ndaj Allahut. Gjithësia dhe krijesat brenda saj, nuk janë krijuar shkel e shko dhe pa asnjë qëllim. Po ashtu edhe njeriu nuk është vepra e rastësisë së një aventure argëtuese. Ai nuk është krijuar për t’u lënë ashtu i pakontrolluar. Në krijimin e njeriut, është një qëllim hyjnor. Mirësitë dhe bukuritë e Allahut, shfaqen tek njeriu. Në këtë mënyrë, njeriu gëzon nderin të jetë mik i Allahut.

Ndërsa krijesat e tjera, i shërbejnë jetës së njeriut. Njeriu është krijuar si “halife”, mëkëmbës i Krijuesit të tij në tokë. Të bëhesh “halife”, është një përgjegjësi që i jepet njerëzve sakrifikues. Allahu i Madhëruar, atyre që e çojnë në vend këtë përgjegjësi, u bëhet syri me të cilin shohin, veshi me të cilin dëgjojnë dhe dora me të cilën punojnë. Kjo, është e mundur në sajë të përvetësimit të moralit kuranor, sepse vetëm Kurani mund ta ngrejë njeriun në nivelin më të lartë të virtyteve dhe moralit.

Jeta që bën njeriu, i cili vjen në këtë botë i plotësuar me të gjitha bukuritë hyjnore, është e gjitha një sprovë. Njeriut i është dhënë një liri e kufizuar, që e lejon të bëjë edhe të mirën, edhe të keqen. Njeriu është lënë i lirë të zgjedhë midis të keqes dhe gjynahut që fshihet në egon e tij dhe prirjes për mirësi e devotshmëri që gjenden në shpirtin e tij.

Krijimi i veseve të këqija tek njeriu, është bërë për shkak që ai të sprovohet. Në ajete fisnike, urdhërohet.

وَنَفْسٍ وَمَا سَوَّاهَا فَأَلْهَمَهَا فُجُورَهَا وَتَقْوَاهَا قَدْ أَفْلَحَ مَن زَكَّاهَا وَقَدْ خَابَ مَن دَسَّاهَا

 

“Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” (Shems, 7-10)

Pra, ajo që e bën njeriun njeri, është pajisja e tij me virtyte të bukura. Ndërsa ajo që e nxjerr jashtë konceptit njerëzor, është zhytja në vese të këqija.

Në këtë botë, njeriu jeton në të mirat që i ka falur Allahu. Prandaj, kundërshtimi i urdhrave dhe ndalesave të Allahut, është një budallallëk që ka përfundime të këqija dhe të frikshme. Njerëzit mizorë, të cilët nuk pranojnë të hyjnë në rregullin e besimit dhe moralit, do të meritojnë hakmarrjen hyjnore.

Kushti i vetëm i të jetuarit si njeri, është të jesh i lidhur pas një feje hyjnore dhe sistemit moral që mbështetet në të. Për njerëzimin, shembulli i fundit i moralit të bukur dhe pika kulmore e përsosmërisë, është Profeti ynë (a.s.). Në një ajet fisnik, urdhërohet:

لَّقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّـهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِّمَن كَانَ يَرْجُو اللَّـهَ وَالْيَوْمَ الْآخِرَ وَذَكَرَ اللَّـهَ كَثِيرًا

“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Ahzab, 21)

Ndërsa vetë Profeti ynë (a.s.), ka thënë:

“Mua më ka edukuar Zoti im dhe, më ka edukuar shumë bukur!..” (Sujuti, Xhamiu’s-Sagir, I, 14.)

Zoti ynë na e bëftë të mundur të marrim prej moralit të Profetit tonë (a.s.) dhe të mblidhemi të gjithë së bashku nën flamurin e tij të lumturisë!..

 

Share.

Leave A Reply