Bilal el-Habeshiu (r.a.), ishte myezini i parë i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)… Ai ishte një trim hero që nuk e fshehu Islamin edhe pse ishte rob dhe që e deklaroi besimin e tij para të gjithëve… Ai ishte një sahab që nuk i mbaruan vuajtjet dhe që e vazhdoi jetën nën tortura për shkak se hyri në Islam…

Bilali (r.a.), ishte një besimtar i devotshëm që bëri durim duke i sfiduar të gjitha padrejtësitë e torturat që i bëheshin dhe që nuk hoqi dorë nga besimi… Ai ishte një fatlum që shfaqi qëndrueshmëri në besim duke u tallur me politeistët kundrejt torturave që i bënin dhe vuajtjeve që i shkaktonin…

Edhe pse kanë kaluar shekuj të tërë, emri i tij nuk është harruar. Me miliona myslimanë i kanë quajtur fëmijët e tyre Bilal. Faltoret dhe xhamitë që kanë ndërtuar myslimanët mbi sipërfaqen e tokës, jehojnë me ezanin që ka kënduar ai. Kurdo që këndohet ezani Muhamedi, kujtohet gjithmonë Bilali (r.a.). Në xhami atij i është bërë një vend i caktuar. Gjithashtu janë shkruar tablo kaligrafike që mbajnë emrin “Hazreti Bilal el-Habeshiu”.

Kurdo që është bërë fjalë për çështjen e rezistencës kundrejt shoqërisë politeistë, gjithmonë është kujtuar emri i Bilalit (r.a.). Vendosmëria, durimi, qëndrueshmëria, rezistenca dhe fuqia që ai kishte në vullnetin e tij, u bënë shembull për besimtarët. Fjala “Ehad (Allahu është një)!.. Ehad (Allahu është një)” të cilën e thoshte kur i bënin torturat e rënda, është bërë pothuajse slogan i myslimanëve. Bilali (r.a.), këto fjalë i bëri si një himn që e këndoi.

Ai e kishte prejardhjen nga Abisinia. Babai i tij quhej Rebah, ndërsa nëna e tij quhej Hamame. Ai lindi te fisi Beni Xhumah në Mekketu’l-Mukerrame në vitin 581 e.s. Fati e bëri atë rob të Umejje ibn Halefit. Edhe nëna e tij gjendej si skllave në këtë fis. Ai e pranoi Islamin nëpërmjet Hz. Ebu Bekrit. Bilali (r.a.), hyri kështu në Islam:

Bilal el-Habeshiu (r.a.), ishte një njeri shumë guximtar dhe i ndershëm. Umejje shpeshherë e dërgonte atë të vetëm me karvanin e tregtisë. Përgjatë një udhëtimi për tregti u takua me Ebu Bekrin (r.a.). Komentimin e ëndrrës që pa Ebu Bekri (r.a.), e dëgjuan së bashku nga një murg. Ai e dëgjoi se Pejgamberi i kohës së fundit do të dilte në Mekë. Bilali e vuri këtë si vath në vesh. Andaj priti me durim për tu takuar me atë dritë… Bilali (r.a.), kishte zë shumë të bukur. Ai ishte një person që kërkohej nëpër dasma dhe aktivitete. Umejje e mbante atë gjithmonë me vete.

Tashmë ishin ditët kur kishte ardhur feja e re. Edhe Bilali ishte kthyer me karvanin nga një udhëtim. Ai po përpiqej të dëgjonte se kush ishte Pejgamberi i fesë së re.

Ndërsa Bilali (r.a.), po i kalonte ditët me këto mendime, një natë Ebu Bekri (r.a.), i shkoi në mbrëmje, në një kohë që nuk e priste. Atij i tregoi se pejgamberi ishte Muhamed ibn Abdullahu dhe se edhe vetë kishte hyrë në Islam. Bilali e pyeti se për çfarë ftonte ai. Ebu Bekri (r.a.), iu përgjigj:

“Ai na fton të adhurojmë Allahun i Cili është krijuesi i çdo gjëje. Në fenë që na fton ai, nderi dhe krenaria janë vetëm në besim dhe devotshmëri.”

Bilali (r.a.), e pyeti se si hyhej në këtë fe. Hz. Ebu Bekri ia shpjegoi atij. Bilal el-Habeshiu tha menjëherë shehadetin dhe u u nderua me Islam.

* * *

Ai tashmë kishte lindur në një botë krejt të re. Pas këtij momenti, në jetën e tij filloi një etapë e re. Ai deklaroi se kishte hyrë në Islam pa pasur frikë prej askujt dhe pa thënë se nuk kishte njerëz për ta mbrojtur apo për t’i dhënë mbështetje.

Kur Umejje ibn Halefi dëgjoi se ai ishte bërë mysliman, u kaplua nga një tërbim i madh. Ai për momentin nuk e dinte çfarë të bënte nga tërbimi. Me vete mendoi: “Si mund të hyjë Bilali në një fe të re pa u konsultuar me mua? Si mund ta deklarojë vetë se ka pranuar Islamin?” Këtë Umejje nuk mund ta kapërdinte në asnjë lloj mënyre. Një njeri zemërgur që jetonte duke bërë padrejtësi dhe mizori, si mund ta kuptonte kënaqësinë e besimit dhe fisnikërinë për t’u bërë besimtar? Andaj kishte vetëm një gjë që mund të bënte. Pra, ai mund të bënte vetëm padrejtësi dhe tortura…

Umejje filloi ta torturonte Bilalin (r.a.) rëndë dhe me të gjithë fuqinë që kishte, në mënyrë që ta detyronte ta linte fenë e re. E rrahu atë derisa u lodh. E zvarriti në rërën e nxehtë të vapës së drekës. E la me orë të tëra në rërë dhe nën të nxehtin përvëlues të diellit, duke i vendosur në kraharor gurë të mëdhenj. Por çfarëdo që bëri për ta detyruar Bilalin që të thoshte emrat e idhujve, nuk i bëri dobi.

Ky skllav abisinas që i shkëlqenin sytë si yje, tani thoshte vazhdimisht: “Allah, Allah” si të ishte statuja e rezistencës dhe vullnetit të pathyeshëm në besim. Ata thoshin “Lat dhe Uzza”. Ndërsa Bilali (r.a.), thoshte: “Ehad!.. Ehad!..” Ata këmbëngulën. Ndërsa Bilali (r.a.), thoshte sikur po tallej me ta: “Gjuha ime nuk e thotë dot atë që më kërkoni.” Mushrikët ia shtonin vazhdimisht torturat. Natë e ditë e shfaqën barbarizmin e tyre mbi Bilalin (r.a.). Ata i lidhën Bilalit litar në fyt dhe ua dhanë fëmijëve (për t’u tallur). E çuan rrugë më rrugë në këtë gjendje. Por ja që këto gjëra nuk u bënin dobi.

Nxjerrja e besimit nga zemra me padrejtësi dhe tortura ishte e pamundur…

Bilal el-Habeshiu (r.a.), thoshte vazhdimisht: “Ehad!.. Ehad!..”. Këto fjalë tashmë ishin bërë slogani dhe himni i Bilalit (r.a.)…

Umejje dhe burrat e tij mbetën pa rrugëzgjidhje. Ata nuk dinin çfarë të bënin tjetër. Ata nuk e detyruan dot Bilalin (r.a.), ta linte fenë e re krahas të gjitha këtyre torturave dhe padrejtësive.

Çfarë besimi!.. Çfarë qëndrueshmërie!.. Çfarë vullneti!.. Çfarë trimërie!.. Çfarë durimi!.. Çfarë rezistence!.. Çfarë vendosmërie!.. Çfarë heroizmi ishte ky, o Allah!..

* * *

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), mërzitej shumë për torturat që i bëheshin Bilalit (r.a.). Një ditë e pyeti Ebu Bekrin (r.a.), për gjendjen e Bilalit dhe i tha atij se i vinte tepër keq për torturat që i bëheshin.

Ky njeri i madh të cilit Allahu ia ka ngritur famën duke zbritur ajet kuranor në lidhje me të, pra, shoku i shpellës i të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), sahabi Ebu Bekr (r.a.), u ngrit menjëherë në këmbë, e përshëndeti Resulullahun (s.a.s.) dhe shkoi te vendi ku i bënin tortura Bilalit, radijall-llahu anh. Kur pa padrejtësinë që i bëhej atij, nuk duroi dot më. Ndonëse mendimi për ta shpëtuar nga kjo torturë vëllain e tij, Bilalin do t’i kushtonte të gjithë pasurinë, ia mbushi zemrën… Por si do të ndikonte te ky politeist zemra zemra e të cilit kishte mbetur në errësirë dhe i ishte ngurtësuar?!. Kishte vetëm një gjë që e kuptonte ky mushrik: Paraja!..

Ebu Bekr es-Siddiku (r.a.), u shpreh me një gjuhë që ai e kuptonte, duke i thënë: “Umejje! Merr më shumë se vlera e tij dhe lëre të lirë atë!” Kur Umejje dëgjoi për paranë, u qetësua. Ai e pranoi menjëherë propozimin dhe tha: “Merre dhe ik!”

Ebu Bekri (r.a.), e vendosi krahun e Bilalit (r.a.), mbi supin e tij dhe e ngriti në këmbë. Pasi filluan të ecnin dalë nga dalë, politeisti Umejje filloi t’u hidhte fjalë: “Po të më jepje qoftë edhe një Ukijje (12 dirheme), përsëri do të ta shisja.” Në këtë mënyrë deshi të nënçmonte Bilalin. Pas këtyre fjalëve Ebu Bekri (r.a.), ia ngriti vlerën Hz. Bilalit duke thënë: “Për Zotin! Po të më kërkoje edhe njëqind Ukijje, prapë se prapë do të t’i kisha dhënë ato para!..”

Çfarë vëllazërie plot dashuri dhe emocion!.. Çfarë bujarie!.. Çfarë humanizmi!.. Çfarë madhështie!.. Umejje mbeti pa fjalë kundrejt kësaj përgjigjeje… Ai desh pëlciti nga urrejtja dhe mllefi… Kjo i erdhi shumë rëndë, sepse nuk e kuptoi dot se çfarë do të thoshte ky respekt kaq i madh ndaj një skllavi!.. Ja, ky ishte Islami… Kjo ishte vëllazëria islame!.. Sa vëllazëri e bukur që ishte kjo!.. O Allah! Jepi popullit dhe njerëzve tanë një vëllazëri të tillë!..

Ebu Bekri, radijall-llahu anh, e çoi te i Dërguari i Allahut (s.a.s.), vëllain e tij, Bilalin (r.a.) të cilit po i shkëlqenin sytë. Edhe aty e shfaqi madhështinë e tij duke thënë: “O i Dërguari i Allahut! Sot Bilalit po i jap lirinë për hir të Allahut.” Resulullahu (s.a.s.), u gëzua pa masë nga kjo përgjigje dhe u lut për Ebu Bekrin (r.a.).

A do të mbetej pa shpërblim kjo vëllazëri, ky shërbim dhe kjo bujari? Në ato momente erdhi Xhebraili (a.s.) dhe solli ajetin e 17-të dhe të 18-të të sures Lejl. Allahu Teala e përgëzoi Ebu Bekrin (r.a.), me ajetet në të cilat thuhej: “E do të mbahet larg tij (zjarrit) më i devotshmi (që ruhet nga gjynahet) dhe që e jep pasurinë e tij duke pastruar veten.”

* * *

Bilal el-Habeshiu (r.a.), tashmë ishte i lirë. Ai mund të bënte ç’të dëshironte. Pas këtij momenti, ai nuk u nda asnjëherë nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ai ia dedikoi veten shërbimit ndaj Pejgamberit tonë të nderuar. I përgatiti atij ujin e abdestit dhe i shërbeu për nevojat personale. Bilali (r.a.), dilte dhe i kryente jashtë nevojat që kishte shtëpia e Hz. Pejgamberit,. Përgjatë luftërave i bënte roje natën Resulullahut (s.a.s.). Ndërsa ditën përpiqej t’i bënte hije atij. Bilali (r.a.), kreu detyrën e myezinit të Pejgamberit, alejhi’s-selam, në paqe dhe në luftë.

Ai pati nderin të ishte myezini i parë i Islamit. Ezanin e parë e këndoi në vitin e parë të hixhretit me urdhrin e Resulullahut (s.a.s.). Ai kishte zë të ëmbël dhe kumbues. Kur Bilali (r.a.), bënte ezanin, edhe një çifut që kalonte në rrugë, ndalej dhe e dëgjonte. Të gjithë mahniteshin prej zërit të tij. Një ditë në mëngjes kur po bënte ezanin, tha edhe këtë shtesë: “es-Salatu hajrun mine’n-neum /namazi është më i mirë se gjumi.” I Dërguari i Allahut (s.a.s.), u kënaq nga kjo shprehje dhe i dha leje që ta thoshte çdo mëngjes. Ky kujtim i tij arriti në këtë mënyrë deri në ditët e sotme…

* * *

Bilal el-Habeshiu (r.a.), nuk hezitoi të merrte pjesë edhe në xhihad. Ai mori pjesë në të gjitha luftërat duke filluar që nga lufta e Bedrit. Në luftën e Bedrit arriti ta vriste Umejje ibn Halefin i cili i pati bërë tortura. E rrokullisi atë drejt e në xhehenem me mendjemadhësinë, mburrjen, urrejtjen dhe mllefin e tij.

Ditën e çlirimit të Mekës hyri në Qabe së bashku me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Përsëri me urdhrin e Resulullahut (s.a.s.), doli në çatinë e Qabesë dhe këndoi ezanin e çlirimit. Fjala e tevhidit jehoi në qiejt e Mekës me zërin e tij kumbues.

Sa lumturi e madhe që është kjo, o Allah!.. Sa fitore madhështore!.. Bilali i cili dje rënkonte nën torturat dhe i bëhej padrejtësi për të thënë emrin Tënd në këto toka, sot në Qabe po ia shpallte të gjithë botës emrin Tënd… Ai po këndonte ezanin me zërin e tij të ëmbël dhe jehues… Rënkimet e tij nën torturat dhe padrejtësitë, tani po lartësoheshin si zëri i tevhidit… Idhujt po shkatërroheshin dhe errësirat e politeizmit po ndriçoheshin me dritën e Islamit… Monumentet e butësisë dhe mëshirës, sahabët po bënin festë…

I Dërguari i Allahut (s.a.s.), po thoshte: “Të gjithë janë të lirë.” Politeistët po habiteshin dhe ndjeheshin të turpëruar…  Çfarë prisnin e çfarë gjetën?.. Çfarë mund të bënin tjetër kundrejt kësaj dhembshurie dhe mëshire përveçse t’i bindeshin Hz. Pejgamberit?.. Ata që e mposhtën nefsin e tyre, tashmë po vraponin drejt lumturisë, pra drejt Islamit… Ndërsa ata që nuk e mposhtnin dot budallallëkun, mendjemadhësinë, mburrjen dhe nefsin, mbetën vetëm me urrejtjen dhe mllefin e tyre… Ata nuk kishin çfarë të bënin tashmë. Andaj brenin veten nga brenda… Tashmë në Mekë sundonte Islami…

O Allah i Lartësuar! Na jep edhe neve festa të tilla!.. Bëji myslimanët ta arrijnë përsëri krenarinë dhe dinjitetin e tyre! Bëje të vazhdueshme deri në kiamet këtë thirrje të ëmbël të Bilalit (r.a.)!.. Amin!

Ezani më pikëllues

Kur i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, ndërroi jetë, Bilal el-Habeshiu (r.a.), nuk mund ta këndonte më ezanin. Madje arriti deri në atë gjendje, sa nuk mund të ecte më në rrugët e Medinetu’l-Munevvera. Për shkak të mallëngjimit që i shkaktonte dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), qante çdo ditë me lot. Bilali (r.a.), nuk e duroi dot ndarjen nga Pejgamberi (a.s.). Për këtë arsye, nuk mundi të qëndronte më në Medinetu’l-Munevvera. Pasi Ebu Bekri (r.a.), u zgjodh kalif, shkoi te ai dhe i tha: “Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), duke thënë: “Vepra më e mirë e besimtarit është xhihadi në rrugë të Allahut.” Për këtë arsye, dua të shkoj në Sham për të marrë pjesë në xhihad.” Por Ebu Bekri (r.a.), nuk i dha leje. Bilali, edhe pse nuk iu dha leja, përsëri nuk e bënte dot ezanin. Në kohën e Omerit (r.a.), iu dha leja. Bilali (r.a.), shkoi menjëherë në Sham. U fut në ushtrinë islame dhe filloi xhihadin.

Një natë Bilali (r.a.), pa në ëndërr të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Në ëndërr Pejgamberi ynë i dashur i tha: “A nuk do të më vizitosh, o Bilal?” Për këtë arsye, Bilali shkoi në Medine. Pas insistimit të Hz. Hasanit dhe Hz. Hysejnit (r.anhum), këndoi ezanin e mëngjesit. Kur filloi të këndonte ezanin, banorët e Medines dolën nëpër rrugë.

Ata e njohën zërin e ëmbël të Bilalit (r.a.). Kështu, morën gratë e fëmijët dhe shkuan në Xhaminë e Pejgamberit. Ajo ditë dukej si një prej ditëve kur jetonte i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Zemrat e të gjithëve digjeshin prej atij mallëngjimi. Njerëzit vrapuan të emocionuar prej atij mallëngjimi dhe rrugët u mbushën plot e përplot.

Bilal el-Habeshiu (r.a.), e filloi ezanin, por kur arriti te: “Eshhedu enne Muhammeden Rasulull-llah.”, nuk e mbajti dot veten dhe filloi të qante me ngashërim.

Atij iu kujtuan ditët e lumtura që kishte përjetuar me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Ato kujtime të bukura që nuk do të përjetoheshin më në këtë botë, iu zgjuan në zemër. Nga njëra anë vazhdoi të këndonte ezanin me zërin kumbues. Ndërsa nga ana tjetër nuk e mbajti dot veten dhe u mbulua nga lotët, duke qarë me ngashërim. Mezi e mbaroi ezanin, duke qarë e duke ndaluar. Ai i bëri të qanin edhe banorët e Medines. Ky ishte ezani i fundit që këndoi Bilali (r.a.).

Bilal el-Habeshiu (r.a.), i cili nuk e duroi dot ndarjen nga i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, u kthye përsëri në Sham. Ai ndërroi jetë në atë vend të bekuar, pra, në Shamin Sherif në vitin 641 e.s. Varri i tij gjendet në varrezën Babu’s-Sagir në Sham.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu Teala na dhëntë të gjithë dashurinë që Bilali (r.a.), kishte ndaj besimit dhe të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)! Zoti (xh.sh.), na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

 

Share.

Leave A Reply