“(Babai) tha: «Unë brengosem po ta merrni dhe kam frikë se mos do ta hajë ujku, ndërkohë që ju s’do ta keni mendjen tek ai.»” (Jusuf, 13)
Thuhet se Jakubi (a.s.), kishte parë një ëndërr. Në këtë ëndërr, vetë ndodhej në majë të një mali, kurse djali i tij, Jusufi, ndodhej në fushë. Papritmas ia behën dhjetë ujq dhe e sulmuan Jusufin, i cili humbi midis tyre. Për këtë arsye, Jakubi (a.s.), e shprehu shqetësimin e tij duke thënë “…kam frikë se mos e hajë ujku!”. Mirëpo, pa e kuptuar ai u dha djemve një ide për justifikimin e të keqes që kishin planifikuar t’i bënin Jusufit.
Në një hadith fisnik thuhet:
“Belaja varet prej fjalës që del prej goje!..” (Sujuti, el-Xhamiul Sagir, I, 28.)
Ndërsa Ibnu’s Sikkit, i cili është vrarë duke ia prerë edhe gjuhën, ka thënë:
“Njeriu kurrë nuk e pëson me shkarjen e këmbës atë fatkeqësi që e pëson me shkarjen e gjuhës! Ndërkohë që plaga e shkaktuar nga shkarja e këmbës, mund të shërohet me kohën, gabimi i shkaktuar nga shkarja e gojës, mund t’i marrë edhe jetën njeriut.”
Pavarësisht nga shenjat dhe ëndrra që pa Jakubi (a.s.), ai u detyrua t’i jepte leje Jusufit të shkonte me vëllezërit. Sa bukur e përshkruajnë këtë situatë këto fjalë:
“Kur realizohet caktimi dhe vendimi i Allahut, humbet urtësia!”
Kush i beson vetes dhe thotë, “këtë gjë s’e bëj kurrë!”, ia ka hapur derën shejtanit. Ndërsa shejtani, nuk e lë rehat derisa ta poshtërojë dhe bën me të ç’të dëshirojë. Për këtë arsye, nuk duhet të flasim fjalë të mëdha, por t’i mbështetemi vetëm Allahut.
Tradhtia e vëllezërve
“Pasi e morën, vendosën që ta hidhnin në fund të një pusi dhe Ne i shpallëm Jusufit: «Ti do t’i lajmërosh ata për këtë vepër, pa e vënë re ata (që ti je Jusufi)».” (Jusuf, 15)
Duke u mbështetur në shprehjen “Ne i shpallëm Jusufit”, që përmendet në ajet, shumë komentues të Kuranit deklarojnë se, Jusufit (a.s.), i është dhënë profecia qysh në atë kohë.
Jakubi (a.s.), duke parë këmbënguljen e djemve të tij dhe dëshirën e Jusufit për të shkuar me vëllezërit, u dha leje duke treguar edhe nënshtrimin e tij ndaj caktimit të Allahut.
Për t’i bërë qefin të atit, djemtë e mbajtën Jusufin në supe gjersa humbën prej shikimit. Kur humbën nga sytë, u kthyen nga fjala që kishin dhënë dhe e përplasën Jusufin përtokë, duke i thënë:
“O gënjeshtar që ëndërron! Hë, ku i ke ata yjet që i pe se po të bënin sexhde? Le të vijnë tani të të shpëtojnë prej duarve tona!..”
Pas kësaj, filluan ta rrihnin e ta mundonin Jusufin. Cilit prej vëllezërve i lutej Jusufi, ai e mundonte edhe më shumë; e shante dhe e rrihte. Jusufi nuk duroi dot më dhe filloi të qante duke thënë:
“O baba! Sa shpejt e harruan fjalën që të dhanë dhe porositë që u dhe ti!.. Ah sikur t’i shihje se ç’po i bëjnë djalit tënd!.. Kjo nuk i bëhet as fëmijës së një skllavi!..”
Sipas një transmetimit, Robili e ngriti dhe e përplasi Jusufin përtokë. Pastaj, duke iu hedhur me forcë mbi gjoks, deshi ta vriste. Kurse vëllai i tij Levi, deshi t’ia thyente zverkun. Jusufi i thirri vëllait më të mëshirshëm, Jehudës:
“Jehuda! Ki frikë Allahun dhe mos i lejo të më vrasin!”
Jehuda ndjeu mëshirë për të dhe ndërhyri duke thënë:
“Mos e vrisni! A nuk më dhatë fjalën për këtë?”
“Po!” – i thanë vëllezërit.
“Atëherë hidheni në pus!”- tha Jehuda.
Jusufi hidhet në pus
Të gjithë ranë dakord me propozimin e Jehudës dhe vendosën ta hedhin Jusufin në pus. Pusi që vendosën ta hidhnin, ishte hapur kur Sheddadi ndërtoi Jordaninë. Gjithashtu, gryka e këtij pusi ishte e ngushtë, por drejt fundit sa vinte e zgjerohej.
Kur erdhën pranë pusit, Jusufi kapej pas rrobave të vëllezërve dhe qante. Por ata e shtynin edhe më shumë. Ata i hoqën këmishën dhe ia lidhën duart që të mos mbahej gjëkundi. Pas kësaj, me qëllim që të bindnin babanë e tyre, vendosën të thernin një dele dhe këmishën ta lyenin me gjakun e saj. Jusufi, i lutet vëllezërve që i patën hequr këmishën:
“Vëllezër! Ma jepnin këmishën; nëse vdes, më bëhet qefin, e nëse mbijetoj më bëhet rrobë!” Mirëpo, vëllezërit e tij nuk ia dhanë atë.
Pasi e lëshuan me litar deri në mes të pusit, e prenë atë me qëllim që ai të binte dhe të vdiste. Por, në fund të pusit kishte ujë. Kur Jusufi ra në pus, u mbajt pas një guri në anë të pusit. Pastaj, me mendimin se vëllezërit do ta mëshironin dhe do ta nxirrnin prej aty, u ngrit në këmbë dhe filloi të bërtiste. Mirëpo, kur vëllezërit e kuptuan se ai s’kishte vdekur, filluan ta qëllonin me gurë për ta vrarë. Por Jehuda ndërhyri përsëri dhe i pengoi.
Në këtë çast, Allahu i Madhëruar, i thirri Xhebrailit (a.s.) dhe e urdhëroi:
“Ndihmoje robin Tim!”
Xhebraili (a.s.), e zbatoi menjëherë urdhrin dhe duke e kapur Jusufin, e uli mbi një gur në pus. Pastaj i veshi këmishën e Ibrahimit (a.s.) dhe e ushqeu me të mirat e Xhenetit.
Kur Jusufi u hodh në pus, ai u lut, duke u strehuar tek Allahu me këto fjalë:
“O Dëshmitar që di gjithçka! O i Afërt që nuk je larg! O Fitimtari i pamposhtur! Më nxirr prej vështirësisë ku ndodhem dhe hapmë një derë shpëtimi!..”
Sipas disa transmetimeve, Jusufi qëndroi tre ditë në pus. Por ka transmetime që thonë se qëndroi vetëm një orë.
Kur ishte në pus, Xhebraili (a.s) i mësoi Jusufit këtë lutje:
“O Ti që heq çdo shqetësim! O Ti që i përgjigjesh çdo lutjeje! O Ti që mjekon çdo thyerje! O Ti që lehtëson çdo vështirësi! O Allahu im! Përkrahësi dhe Miku i çdo të vetmuari! O Zoti im, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër! Ti që je larg çdo të mete. Prej Teje dëshiroj qetësi pas këtij shqetësimi dhe hapjen e një porte shpëtimi prej kësaj të keqeje ku ndodhem! Zoti im! Vendos në zemrën time dashurinë Tënde, që të mos më mbetet më asnjë shqetësim dhe që aty të mos përkujtohet askush tjetër veç Teje! Më mbro o Zoti im që je më Mëshiruesi i mëshiruesve!”
Jusufi filloi ta përmendte Allahun në pus. Sapo e ndjenë përgjërimin e tij të bukur, melekët kërkuan leje nga Zoti për ta dëgjuar atë. Ndërsa Allahu i Madhëruar, u dha leje, duke ua kujtuar fjalët që ata patën thënë më parë:
“…Ata (melekët) thanë: «A do të vësh atje (në tokë) dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!» Ai (Allahu) tha: «Unë di atë që ju nuk e dini».” (Bekare, 30)
*
Shpirti dhe zemra priren kah bota shpirtërore, kurse egoja, forcat e lidhura me egon dhe dëshirat e ulëta, priren kah bota shtazore. Nëse njeriu qëndron larg edukimit dhe pastrimit të egos, duke e lënë egon të lirë, egoja e mposht shpirtin dhe, për rrjedhojë, trupi komandon shpirtin. Kjo, është gjendja e gjynahqarëve. Nëse në sajë të përmendjes së Allahut, zemra fiton virtyte të bukura, fitorja kalon në dorë të shpirtit dhe zemrës. Ndërsa egoja dhe trupi përulen para shpirtit. Dhe kjo, është gjendja e njerëzve të lumtur.
Allahu i Madhëruar, caktoi një hidhërim dhe mërzitje të madhe për Jakubin (a.s.) dhe Jusufin (a.s.). Urtësia e sprovave të vështira dhe të hidhura që kaluan, ishte që, në sajë të durimit, lidhja e tyre me Allahun, të forcohej edhe më shumë. Në këtë mënyrë, ata gjithmonë janë drejtuar nga Allahu, gjithmonë kanë qenë bashkë me Të dhe duke shpëtuar prej të gjitha lidhjeve të përkohshme, kanë arritur grada të larta shpirtërore. Kjo, sepse ka grada të tilla, që mund të arrihen vetëm duke duruar vështirësi dhe fatkeqësi.
Për rrjedhojë, edhe arsyeja që Jusufi (a.s.), qëndroi dymbëdhjetë vjet në burg, ishte me qëllim që ai të arrinte përsosmërinë në personalitet, në edukimin e egos dhe në durimin ndaj vështirësive. Nëse Jusufi do të kishte qëndruar pranë babait, mbase këto nuk do të mund të realizoheshin kurrë. Ja pra, në sajë të kësaj urtësie, profetët kanë jetuar për një farë kohe larg atdheut të tyre dhe të huaj.
*
Vëllezërit e hodhën Jusufin në pus dhe:
“Në mbrëmje ata shkuan te babai i tyre, duke qarë. Thanë: “O babai ynë, ne shkuam të vrapojmë e Jusufin e lamë te rrobat tona, andaj e hëngri ujku. Por ti nuk na beson, edhe pse themi të vërtetën”. (Jusuf, 16-17)
*
Përveç kësaj, vëllezërit:
“Sollën këmishën e tij të përgjakur, me gjak të rremë. Ai tha: “Nuk është kështu, por ju keni sajuar diçka (tjetër nga sa thoni). Por, durim! Allahut i kërkoj ndihmë kundër asaj që po tregoni ju”. (Jusuf, 18)
Sipas një transmetimi, kur ia sollën këmishën e përgjakur të Jusufit, Jakubi (a.s.), e fërkoi në fytyrë dhe nisi të qajë e rënkojë duke thënë:
“Deri më sot nuk kam parë një ujk kaq të butë! Ma paska ngrënë djalin dhe nuk ia ka shqyer këmishën që mbante veshur!”