Idris Arpat

Çështja e mësim-edukimit është një nga çështjet më serioze të njerëzimit. Ashtu siç ka lidhje mënyra e botëkuptimit dhe jetesës sonë me mësim-edukimin, ashtu ka lidhje edhe grada jonë me cilësinë e arsimit. Dashuritë tona, dëshirat, aftësitë dhe dobësitë tona; mungesa e idealeve, jeta pa qëllime dhe të gjitha të metat tona të ngjashme me këto, në një farë mënyre janë të lidhura me mësim-edukimin.

Thonë se mësim-edukimi është një “profesion pejgamberësh”. Kjo mund të thuhet edhe për shkak se pejgamberët kanë qenë mësuesit e njerëzimit, por edhe për të theksuar rëndësinë e kësaj çështjeje.

Popujt që e marrin seriozisht jetën dhe mendojnë për të tashmen e të ardhmen e tyre, i japin shumë rëndësi mësim-edukimit. Ata, jo vetëm që ndajnë pjesën më të madhe të buxhetit për fushën e arsimit, por i orientojnë në këtë fushë edhe fëmijët më të zgjuar dhe mendjet më të mprehta. E njëjta gjë është edhe nëse e shohim nga aspekti i familjes dhe i nxënësit. Cilëndo familje të pyesni se “cila është gjëja më e shtrenjtë për ju?”, “fëmijët”, do t’u përgjigjen. Sigurisht që familjet dëshirojnë t’i edukojnë fëmijët e tyre nëpër shkolla me emër. Fëmijët e tyre që i kanë rritur me aq mund, nuk do të dëshironin kurrë t’i linin në dorën e  mësuesve të rëndomtë nëpër shkolla të thjeshta.

Në fillim, deri në një farë mase nxënësi mund ta kuptojë rëndësinë e çështjes së edukimit dhe se a janë apo jo të përshtatshme kushtet e mësimit. Por me kalimin e kohës dhe me zhvillimin e aftësisë së perceptimit, ai arrin ta kuptojë mirë nivelin e shkollës dhe të mësuesve. Për rrjedhojë, ai e di mirë se çfarë themelesh po hidhen, ato të lumturisë apo të shkatërrimit.

Një temë të gjerë siç është kjo e mësim-edukimit, është e vështirë ta përmbledhësh të gjithën brenda kufijve të këtij shkrimi, por megjithatë, do të dëshiroja të hyja pak në detaje.

Le të marrim në dorë lëndën e letërsisë. Për shkak se është një lëndë me përmbajtje të gjerë dhe plot ngjyra, ajo e tërheq vëmendjen e nxënësit, e emocionon dhe zgjeron botën e tij të imagjinatës. Kështu duhet të jetë mësimi, nëse mësuesi i lëndës është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që ka, e ka pasion lëndën dhe është i aftë. Po ashtu, edhe lëndët e tjera varen nga këto parime.

Çdo lëndë ka ngjyrat dhe veçoritë e saj tërheqëse. Mjafton që mësuesi i lëndës të kuptojë rëndësinë e çështjes, të ndjejë përgjegjësinë dhe të përdorë potencialin që ka.

Këtu duhet të theksojmë se edhe aftësitë dhe prirjet e nxënësit duhet të merren patjetër në konsideratë. Ashtu si çdo fëmijë nuk është i aftë në çdo lëndë, edhe prirjet e tij nuk janë të njëjta për çdo lëndë. Padyshim se orientimi i nxënësit në një degë sipas aftësive dhe prirjeve të tij, është e detyrueshme. “Puna më e lehtë është ajo që bëhet me dashuri”. Prandaj duhet ta kuptojmë mirë rëndësinë e aftësisë dhe dashurisë dhe të besojmë në forcën e saj.

***

Nëse shkolla arrin t’i japë fëmijës zakonin e leximit, do të thotë se ka arritur një sukses shumë të madh. Do të thotë se tashmë, orët e mërzitshme janë kthyer në orë tërheqëse. Allahu betohet në penën dhe ato që shkruhen me të. Por kushedi çfarë mirësish do të falë Ai për shkak të edukimit të mendjeve të arta dhe zemrave të gjera. Në këtë mënyrë, njeriu do të kapërcejë një nga një të gjitha shkallët e zhvillimit dhe do të arrijë mendime të larta e ndjenja të pastra. Kufijtë e kënaqësisë do të qartësohen dhe do të zgjerohen me zgjerimin e botës së mirësisë. Prej mirësive të qiejve dhe të tokës do të burojnë gëzime dhe festa të ndryshme.

Prej lëndëve të logjikës e matematikës do të arrihen mendime të qarta, ndërsa prej filozofisë dhe tasavufit thellësi e gjerësi. Me qartësimin e dijes do të kenë saktësi edhe mendimet e mbështetura në dije. Mendimet e sakta do të sjellin vendime të sakta, ndërsa vendimet e sakta, do të sjellin zbatime të suksesshme. Kushti i domosdoshëm për arritjen e këtyre sukseseve dhe pasurive, janë mësuesit që vlojnë nga brenda.

Mësuesi…

Njeriu që ka marrë mbi supe misionin e pejgamberëve, ka marrë përsipër një barrë shumë të rëndë prandaj jeton me ndërgjegje. Ai është njeriu që i ka kthyer gjembat nga brenda dhe nga jashtë çel gjithmonë trëndafila. Sado shqetësime të ketë, ai është njeri që preferon të qeshë. Ai është njeriu që jeton për të ardhmen.

Edhe një bukuri, edhe një urtësi, edhe një varg, edhe një fjali të bukur… në këtë mënyrë, këta njerëz nuk e kuptojnë përfundimin e ditëve të numëruara… Vetëm për të edukuar një nxënës durojnë një mijë të këqija. Ata janë njerëz që thonë “vdes nëse nuk jap mësim”, “ditën kur të mos vij në mësim, ejani në varrimin tim”. Për ta nuk ka kufi në shërbimin ndaj nxënësve dhe arsimit. Ata edhe prej vrasësit më të keq arrijnë të nxjerrin flamurtarë të besimit.

Nëse nuk gjeni dot mësues të mirë, gjithçka bëhet e vështirë. Fati më i keq i fëmijëve nuk është mungesa e shkollës, e pajisjeve mësimore apo e parave. Këto mund të zgjidhen në një farë mënyre. Por çfarë do të bëni nëse mësuesit i shuhet ideali, i ngushtohet horizonti dhe i ndalen përpjekjet? Mungesa e vizionit, e përpjekjes dhe e entuziazmit e bën jo vetëm shkollën sikur ka rënë zjarri, por edhe fëmijët i kthen në lule që vyshken pa çelur ende mirë. A nuk ia nxin të ardhmen shoqërisë ky problem?

Ja pra fëmijë e të rinj! Ju jeni të interesuarit e drejtpërdrejtë të gjithçkaje që ndodh. Programi i shkollës kështu, mësuesit ashtu, botëkuptimi i edukimit një përrallë tjetër etj… Por sido që të jetë, ju duhet patjetër të gjeni një mënyrë për të zhvilluar veten. Nuk ndodhemi në vendin e ankesave dhe qarjeve, por në testin e seriozitetit dhe sinqeritetit. Askush nuk i ka ngjitur shkallët e suksesit me duar në xhepa e duke fishkëllyer. Kjo është koha për të shtrënguar dhëmbët dhe për të mësuar durimin. “Fillimet e dijes janë më djegëse se qepa, por fundi është më i ëmbël se mjalti”, miku im. Ti duhet të dish të përtypësh hidhërimet pa e shtrembëruar fytyrën dhe t’u vësh gjoksin vështirësive.

Nëse e mësoni mirë arabishten, do t’u hapen dyert e dijes islame e, nëse e mësoni anglishten, u hapen dyert e kulturës botërore. Prandaj, këto dy gjuhë duhen mësuar në mënyrë sa më të dobishme. Përndryshe, nuk mund të hapeni në oqeanet e gjera të dijes, mendimit dhe artit, por do ta burgosnit veten në një hapësirë shumë të ngushtë.

Nga ana tjetër, duhet të fitoni një zakon të vazhdueshëm e të rregullt të leximit. Ka shumë libra dhe shkrime që ju presin për t’i lexuar. Me të lexuar e mësuar, shtohet edhe kureshtja, ngrihet edhe niveli i botëkuptimit dhe perceptimit tuaj.

Gjatë leximit nuk duhet të nxitohemi. Duhet të shpëtojmë nga ndjenja e mbarimit sa më shpejt të shkrimit apo të librit. Përndryshe, do të na shpëtojnë shumë urtësi dhe shprehje të bukura.

Një çështje tjetër e rëndësishme është edhe marrja e shënimeve. Kur lexojmë një libër, duhet të marrim shënim çdo gjë të rëndësishme dhe çdo fjali që na pëlqen. Në sajë të shënimeve, prej atyre që mësojmë kur jemi pesëmbëdhjetë vjeç do të përfitojmë edhe kur të jemi dyzetepesë vjeç. Shënimet e mbajtura, në të ardhmen do t’ju falin emocione të reja dhe do t’u hapin derën shumë zhvillimeve të dobishme.

Njeriu nuk duhet ta detyrojë veten të lexojë këtë apo atë libër të caktuar. Ai duhet të lexojë atë libër që dëshiron. Ashtu siç nuk i pëlqejnë gjithmonë të njëjtat gjellë, njeriut nuk i pëlqejnë gjithmonë edhe të njëjtët libra. Në lidhje me këtë çështje, kriteri më i mirë është interesi i njeriut. Njeriu duhet të lexojë librin për të cilin ka interes dhe dëshiron ta lexojë. Në këtë mënyrë edhe kultura jonë mbushet me ngjyra, por edhe lexojmë me dëshirë e pasion.

Njeriu që merret me dije dhe mendime, në të njëjtën kohë duhet edhe të shkruajë. Ai duhet t’i shkruajë mendimet dhe disa prej ndodhive të gëzueshme e të hidhura, duke shënuar edhe datën e tyre. Këto mund të jenë ditarë të çmuar, poezi ose tregime të shkurtra. Në këtë mënyrë, nuk i çojmë dëm frytet e mendjes dhe zemrës sonë. Duke shkruar vazhdimisht, do të arrijmë mendime më të qarta, pjekuri dhe tekste më të bukura.

Pjesëtarët e një feje që betohet në penën dhe ato që shkruhen me të, nuk duhet ta lëshojnë kurrë penën nga dora. Ju e dini, është një metodë që quhet “Të mendosh duke shkruar, të shkruash duke menduar”.

Njeriu nuk duhet t’i mbajë për vete ato që mëson. Në një farë mënyre, ai duhet t’i shprehë ato në çdo moment të përshtatshëm. Mendimet e qëlluara dhe fjalitë e bukura duhen shprehur patjetër në një moment kafeje, gjatë një bisede ose gjatë një shëtitjeje. Është e mundur që këto të tërheqin vëmendjen e dëgjuesit dhe të ndikojnë tek ai. Fshehja e dijes nuk ka asnjë dobi. Retë mbajnë shumë shi, por nëse nuk e lëshojnë, janë të padobishme.

Bisedat në aspektin e dijes dhe mendimit, në të njëjtën kohë janë edhe stërvitje e mendjes. Rruga e dijes dhe njohjes, është një rrugë e gjatë dhe e hollë, e cila kërkon durim, vazhdimësi, kujdes dhe metodë. Këto janë elementet e domosdoshme të kësaj rruge.

Le të kujtojmë edhe një çështje: Ashtu siç është “leximi” një mënyrë mësimi në rrugën e dijes, ashtu është edhe “dëgjimi”. Në Kuranin Fisnik, urdhërohet: “Ata të cilët dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të bukurën prej tyre…” (Zumer, 18) Pra, të dëgjosh me vëmendje, të marrësh atë që është më e bukur e të lësh atë që nuk është e dobishme. Me një fjalë, të kesh një mendje që zgjedh e jo që merr ose lë gjithçka. Nëse përvetësohet kjo metodë, udhëtari i dijes do të përfitojë shumë.

Edhe një çështje:

Qëllimi ynë i vetëm në veprimtaritë tona drejt dijes e njohjes, është kënaqësia e Allahut të Madhëruar. Në hyrjen e sures el-Muddeththir, e cila është një nga suret e para që është zbritur, pasi Allahu i drejtohet Pejgamberit tonë (a.s.), duke i thënë të ngrihet e të thërrasë njerëzit, të madhërojë Allahun, të pastrohet nga papastërtitë trupore dhe shpirtërore, Ai e urdhëron që pas të gjitha këtyre: “Të durojë për hir të Zotit!”. Pra, çështja është shumë e qartë. Në të kundërtën, gjithçka bëhet e pamundur.

 

Share.

Leave A Reply