Osman Nuri Topbash

Kjo botë është vend i  kurbetit të shpirtit midis së pafilltës dhe të pafundmes. Ndërsa bajramet janë ditë vëllazërie, gëzimi dhe hareje, që Zoti ynë ua ka falur robërve të Tij dhe të cilat rrjedhin në dimensionin kohor, ndonjëherë me tablo lumturie e ndonjëherë me tablo hidhërimi.

Qëndresa në devotshmëri është shpërblimi i sakrificës në rrugën e Allahut. Me gjithë këtë, bajramet kurrë nuk janë ditë pushimi, argëtimi, gëzimi e lumturie individuale. Bajramet janë gëzimi i mbarë shoqërisë. Njeriu nuk mund të bëjë bajram si një individ i vetëm. Pra, ashtu siç nuk mund të mendohet që një namaz bajrami të falet vetëm apo të urosh vetveten, nuk mund të mendohet as një bajram i posaçëm për lumturinë e një njeriu të vetëm apo të familjes së tij. Përkundrazi, bajramet janë fushata të fitimit të zemrave. Ato janë ditë të bekuara, ku realizimi i shumë prej përgjegjësive tona, si vizita e të afërmve, shfaqja e vëllazërisë islame në shoqëri, pajtimi i të zemëruarve, gëzimi i skamnorëve, të vetmuarve, të sëmurëve e të vuajturve arrin nivelin e më të lartë.

Po ashtu edhe urimet dhe përgëzimet reciproke, janë raste të volitshme për përmirësimin e shpirtit të vëllazërisë në shoqëri. Të parët tanë, që prej njeriut më të thjeshtë e deri tek zyrtarët më të lartë, i kanë dhënë një rëndësi shumë të madhe ceremonisë së urimit reciprok të bajrameve.

Në radhë të parë, urimet reciproke të bajramit duhen bërë me ata që presin më shumë kujdes, ndihmë dhe mëshirë, me ata që kanë harruar gëzimin dhe harenë, si zemrat e hidhëruara, shpirtrat e përvuajtur, të mjerët e të vetmuarit. Pra, është e nevojshme që gëzimin e bajramit, më parë ta ndajmë me ta. Ndërkohë që gëzojmë fëmijët tanë, nuk duhen harruar as jetimët, të cilët nuk kanë as nënë e as baba që do t’i gëzojë. Besimtari duhet të përpiqet të shpërndajë gëzimin e bajramit tek të gjithë ata ku mund të zgjasë dorën e mëshirës, pa i dhënë mundësi egoizmit me arsyetime si; “cilin të ndihmojë më parë?”.

Ebu Said el-Hudri (r.a.), tregon:

Rasulullahu (a.s.), në ditët e Bajramit të Kurbanit dhe Ramazanit, dilte në namazgjah dhe më parë fillonte me faljen e namazit. Pasi falte namazin, çohej në këmbë dhe kthehej nga xhemati, i cili ulej ku kishin falur namazin. Nëse kishte nevojë të dërgonte ndonjë grup diku, ua thoshte xhematit ose nëse kishte ndonjë punë tjetër, i urdhëronte vetë. Gjatë mbajtjes së hutbes, thoshte: “Jepni sadaka, jepni sadaka, jepni sadaka!”. Dhe ato që jepnin më tepër sadaka, ishin gratë. Më vonë, Rasulullahu (a.s.), largohej nga namazgjaja.” (Muslim, Ijdejn, 9.)

Edukimi i sakrificës

Treguesi i dashurisë së vërtetë, është sakrifica. Dashuria ndaj Allahut kërkon që të marrësh parasysh çdo lloj sakrifice për Të. Adhurimi i kurbanit, që është edhe një edukim sakrifice, është një kujtim i veçantë që na ka ngelur prej Ibrahimit (a.s.).

Duhet të mendojmë: Si u bë Ibrahimi (a.s.), Halilullah/Miku i Allahut? Si mundi t’ia kushtonte fronin e zemrës vetëm Allahut? Ai vuri jetën në shërbim të Allahut; gjeti jetë. Dhuroi bujarisht pasurinë; arriti një pasuri të paparë. Erdhi në momentin e flijimit të birit të tij, që ishte edhe vazhdimi i sojit të tij; Allahu i Madhëruar e përgëzoi me suksesin e sprovës. Në Kuranin Kerim, kjo ndodhi tregohet kështu:

“Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë. Ne e thirrëm: ‘O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën.’ Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët! Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë! Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh dhe i lamë atij (Ibrahimit) kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm. ‘Paqja qoftë mbi Ibrahimin!’ Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët. Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.” (Saffa, 103-111)

Për këtë arsye, jo vetëm kafshët duhen konsideruar si kurban në rrugën e Allahut, por edhe gjithçka që kemi. Edhe sahabët e nderuar e zotëronin këtë pjekuri shpirtërore. Prandaj dhe dëshirën më të vogël të Rasulullahut (a.s.), e konsideronin si borxh dhe thoshin: “Të qofshin falë nëna, babai, malli dhe jeta ime o i Dërguar i Allahut!”. Për të pasur nderin e një sakrifice në rrugën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ata garonin ndërmjet tyre. Vetëm sahabët? Jo! Edhe krijesat e tjera i vinin rrotull atij “Nuri”… Të marrim mësim prej këtyre krijesave… Abdullah bin Kurt (r.a.), tregon:

Rasulullahut (a.s.), i kishin sjellë pesë apo gjashtë deve për kurban. Devetë filluan të vinin drejt Pejgamberit tonë (a.s.), sikur garonin se kush do të bëhej kurban e para. Kur devetë u prenë dhe ranë mënjanë, Rasulullahu (a.s.), tha diçka me zë të ulët, por nuk arrita ta kuptoj. Pyeta (dikë që ishte para meje), se çfarë tha Rasulallahu (a.s.):

“Kush të dojë, le të presë e të marrë nga ky kurban.”, tha ai. (Ebu Daud, Menasik, 19/1765; Hakim, IV, 246/7522.)

Përpjekja e deveve duke garuar me njëra-tjetrën për të dhënë shpirt në duart e Pejgamberit tonë (a.s.), padyshim se është një nga mrekullitë që Allahut i ka falur atij. Edhe ndodhia e trungut të hurmës, që qau prej mallit të ndarjes me Pejgamberin (a.s.), nuk është më ndryshe. Sipas një thënie të vetë Pejgamberit (a.s.): “Përveç kryeneçëve prej xhindëve dhe njerëzve, të gjitha krijesat e tjera e njihnin atë.” (shih. Ahmed bin Hanbel, Musned, III, 310.)

Sa mësimdhënës është fakti se edhe kafshët që Allahu i Madhëruar ia ka dhënë birit të njeriut për shërbim, ndjejnë një dashuri aq të madhe për Pejgamberin tonë (a.s.), sa garojnë me njëra-tjetrën për t’i dhuruar atij jetën e tyre. Devetë garuan me një bindje e dorëzim të pashoq ndaj Rasulullahut (a.s.), edhe pse ato nuk do të kenë asnjë shpërblim, qoftë në këtë botë e qoftë në botën tjetrën. Prandaj edhe biri i njeriut lumturia e të cilit edhe në këtë botë, edhe në tjetrën është lidhur me bindjen ndaj tij, sakrificën që duhet të tregojë në dorëzimin ndaj të Dërguarit të Allahut, duhet ta peshojë nën dritën e kësaj ndodhie…

Një kujtim:

Një tjetër tablo mësimdhënëse që na kujton një ndodhi të “epokës së lumturisë”, është edhe kjo: Para shumë vitesh, në një vend të Rusisë, një dem i cili do të bëhej kurban, shkoi i qetë drejt vendit ku do të bëhej kurban, sikur të drejtohej nga një dorë e padukshme dhe u ul në krye të pusit ku do të bëhej kurban. Ata që ndodheshin aty, e panë të mahnitur këtë ngjarje.

Allahu Teala, përveç shumë urtësive, ndonjëherë shfaq edhe ndodhi të tilla dhe, nëse dëshiron, ua tregon ato edhe robërve të Tij. Ashtu siç Allahu Teala i shfaq ndodhi të tilla duke bërë përjashtime në ligjet e Veta, ashtu edhe i gjithë krijimi është i mbushur me të fshehta dhe urtësi të mrekullueshme hyjnore. Por e rëndësishme është që të zotërohet një sy zemre, i cili mund t’i lexojë faqet e fshehtësive dhe urtësive në librin e gjithësisë; që zemra të mund të lexojë me syrin e urtësisë, sipas urdhrit hyjnor: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijon.” (Alak, 1) Allahu Teala edhe kafshëve për kurban u ka dhënë një ndjenjë dhe i ka zgjedhur ato për realizimin e një adhurimi. Prandaj, mëshira, dhembshuria dhe kujdesi që duhet të tregohet ndaj kafshëve për kurban, në fakt shpreh respektin ndaj Allahut Teala.

Për këtë arsye, Pejgamberi i mëshirës (s.a.s.), e ka ndaluar kryerjen e këtij adhurimi në mënyrë të dhunshme dhe të pashpirt. Kafsha që do bëhet kurban, duhet mbajtur mirë me ujë e me ushqim nëse ka nevojë, duhet qetësuar, i duhen lidhur sytë dhe duhet çuar në mënyrën më të mirë dhe pa e torturuar deri në vendin ku do bëhet kurban. Rasulullahu (a.s.), kur e pa dikë që po e tërhiqte prej veshi delen që do të bënte kurban, ndërhyri dhe tha:

“Lëshoja veshin kafshës dhe kape anash qafës!” (Ibn Maxhe, Zebaih, 3.)

Përveç kësaj, me qëllim që të mos e torturojnë shumë kafshën gjatë prerjes, Pejgamberi (a.s.), ka porositur që thikat të mprihen mirë:

“Kur dikush prej jush të presë një kafshë, le ta bëjë shpejt!” (Ibn Maxhe, Zebaih, 3.)

Përsëri një ditë tjetër, Pejgamberi ynë (a.s.), pa dikë që po priste një dele. Njeriu pasi e shtriu delen në tokë, filloi të mprihte thikën. Por Pejgamberi ynë (a.s.), përballë kësaj sjelljeje të pamenduar dhe të pashpirt, tha:

“A dëshiron ta vdesësh këtë kafshë për disa herë me radhë!? A nuk do të ishte më mirë që ta mprihje thikën pa e shtrirë atë përtokë (që ajo të mos e shihte)!? (Hakim, IV, 257, 260/7570.)

Nisur nga kjo, nuk duhet të harrojmë kurrë se kurbani është një adhurim dhe se duhet të ruhemi nga sjelljet që e cenojnë anën shpirtërore të këtij adhurimi. Kjo, sepse siç ka thënë edhe Enes bin Maliku (r.a.): “Edukata e treguar në vepër, është tregues i pranimit të saj”. Po ashtu edhe të dashurit e Allahut janë shprehur, se “Adhurimi e çon njeriun në xhenet, ndërsa edukata dhe respekti në adhurim, të afron tek Allahu”.

Dy nga të dashuri e Allahut, Sami Efendiu dhe babai im Musa Efendiu (Allahu i mëshiroftë), kur prisnin kurban, tregoheshin shumë të kujdesshëm. Ata nuk lejonin të priheshin dy kurbanë në një gropë. Porositnin që kafshës t’i lidheshin sytë dhe të dërgohej me butësi në vendin e kurbanit. Nëse ishte prej kafshëve të imëta, kërkonin që të merrej në krah dhe të dërgohej me butësi. Ata kujdeseshin që thika të ishte e mprehur mirë dhe porositnin që kafsha të therej mirë e shpejt, pa e torturuar dhe të lihej që gjaku t’i kullonte deri në fund. Kur kurbani ishte duke u prerë, nuk uleshin kurrë, por prisnin në këmbë derisa gjaku të kullonte plotësisht. Duke menduar për kurbanet, duhet të falënderojmë Allahun, sepse në vendin e tyre mund të ishim edhe ne. Pra, Allahu Teala mund të na krijonte ne si kafshë kurbani. Për këtë arsye, duke menduar rreth mirësisë që na ka falur Allahu, duke na krijuar si robër të Tij, duhet ta shtojmë edhe më shumë falënderimin ndaj Allahut. Ndërsa, përballë skenës ku kurbanet japin shpirt, duhet të mendojmë edhe frymën tonë të fundit. Me një fjalë, nëse është e mundur, të qëndrojmë te koka e kurbanit, ndërkohë që ai është duke u prerë dhe të meditojmë të zhytur në ndjenja të thella rreth këtyre të vërtetave.

Përveç kësaj, gjatë këtyre ditëve të bekuara, duhet të mos merremi me punë të padobishme, por këtë kohë shumë të çmueshme ta zbukurojmë me përmendjen e Allahut, me dhënie sadakaje e veçanërisht me tekbire, që janë edhe prej simboleve të bajramit. Në “epokën e lumturisë”, Fitër Bajrami përgatitej me sadaka, qerasje dhe dhurata; ai përballohej me dhurimet që bëheshin për hir të Allahut. Kjo, sepse dihej shumë mirë se përjetimi i një bajrami të vërtetë arrihet duke gëzuar edhe zemrat e hidhëruara me harenë e bajramit.

Në kohën e Pejgamberit tonë (a.s.), kur po afrohej koha e Bajramit të Kurbanit, erdhi një grup beduinësh të mjeruar e nevojtarë. Për këtë arsye, Pejgamberi (a.s.), urdhëroi që mishi i kurbanit të mos mbahej më tepër se tri ditë dhe të shpërndahej. Më vonë, kur u shtuan edhe mundësitë, Pejgamberi (a.s.), e hoqi këtë detyrim. Megjithatë, ai nuk hoqi dorë nga motivimi dhe nxitja e myslimanëve për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për t’u kujdesur ndaj të varfërve.[1]

Për këtë arsye edhe ne si umeti i Muhamedit (a.s.), duhet të mendojmë në këtë mënyrë: Sot, në rruzullin tokësor ka shumë vëllezër myslimanë, të cilët prej kohësh nuk kanë parë mish me sy. Kështu që me ndihmën që mund të japim me rastin e Bajramit të Kurbanit, pikësëpari, duhet të kthejmë gëzimin e bajramit në fytyrat e këtyre vëllezërve tanë e të përpiqemi të fitojmë ato zemra të dëshpëruara. Kjo, sepse përpjekja për të fituar një zemër të tillë mund të bëhet shkak i kënaqësisë dhe afërsisë me Allahun. Mbase kjo mund të jetë edhe rruga më e shkurtër për takimin me Zotin tonë.

Një ditë, nxënësi që i shërbente të nderuarit Daud-i Tait, tha:

“ Kam pjekur pak mish, a po urdhëroni?” Pasi vuri re se mësuesi i tij po heshtte, ai e solli mishin. Mirëpo, i nderuari Daud-i Tai, duke e parë mishin që iu vu përpara, pyeti: “Çfarë lajmesh kemi nga filan jetim, mor bir?” Nxënësi, thotë: “Ashtu siç e dini, i nderuar!”. Pas kësaj, ky i mik i mirë i Allahut, tha: “Atëherë, këtë mish çojua atyre!” Ndërsa nxënësi i sinqertë, i cili dëshironte që ushqimin e përgatitur ta hante mësuesi i tij, këmbënguli duke thënë: “I nderuar, edhe ju keni kohë të gjatë pa ngrënë pak mish!”… Megjithatë, Daud-i Tai, nuk pranoi dhe tha: “Biri im! Nëse do ta ha unë këtë mish, ai do të humbasë. Por, nëse e hanë ata jetimë, ai do të ngrihet përjetësisht tek Allahu Teala!..”

Sot, në shumë vende të botës islame, veçanërisht në Afrikë, ka shumë njerëz të privuar, të skamur, të vuajtur e të uritur. Prandaj dhe mishi i kurbanit që do t’u dhurohet atyre, mbase ngrihet tek Allahu duke u kthyer kështu në dhuratën më të bukur të bajramit për ne. Bajrami i Kurbanit është rasti më i bukur për ne për t’u uruar së bashku me vëllezërit tanë të varfër në të gjithë botën.

Falënderimi i takon Allahut, që Vakëfi ynë “Aziz Mahmud Hydai”, ka vite që organizon veprimtari të therjes së kurbaneve brenda (në Turqi) dhe jashtë vendit. Këto veprimtari bëhen shkak edhe për realizimin e një adhurimi, edhe për plotësimin e nevojave të vëllezërve tanë, por edhe formimin e një lidhjeje dashurie ndërmjet myslimanëve në të gjithë botën.

Gjatë këtyre veprimtarive, përballemi me raste të tilla mësimdhënëse, të cilat tregojnë se sa me vend është ky shërbim që bëhet dhe na kujtojnë se edhe sa rrugë kemi ende për të bërë. Ja disa shembuj prej tyre:

Gjatë prerjes së kurbaneve në Senegal, një i varfër kishte marrë një copë mishi dhe po ikte duke vrapuar. Kur u thirr nga pas: “Ndal!”, ky i varfër, që e kishte marrë copën e mishit me mendimin se nuk do të arrinte të merrte, tha: “Jo, nuk mundem, këtë duhet t’ia çoj nënës sime, sepse do të na bëjë për të ngrënë prej kësaj” dhe u largua me shpejtësi.

Në një rast tjetër: Një i varfër nuk kishte arritur të vinte në kohë në shpërndarjen e kurbanit dhe u thotë punonjësve që ndodheshin aty: “Unë këtë herë nuk munda të arrij, por ju lutem, ejani përsëri vitin tjetër, që të paktën të marr një copë kurbani”. Ndërsa në Etiopi erdhi një grua e krishterë dhe tha: “Unë jam e krishterë. A mund të më jepni pak mish edhe mua?” Punonjësit, duke buzëqeshur i dhanë një pjesë prej kurbanit. Pasi mori mishin, gjëja e parë që bëri ajo grua ishte puthja e murit të xhamisë. Pra edhe kjo grua e krishterë e kuptoi mëshirën e Islamit; mënyrën e shikimit të krijesave me syrin e Krijuesit dhe, duke puthur murin e xhamisë, shprehu falënderimin e saj ndaj botës islame. Kjo tregon edhe një herë se njeriu gjithmonë mposhtet përballë mirësisë… Po në Afrikë, kishte njerëz që udhëtonin dy orë për të marrë një pjesë kurbani. Dhe shumica e tyre u kishin treguar punonjësve tanë se mishi i kurbanit që merrnin, ishte i vetmi mish që hanin gjatë gjithë vitit.

Sigurisht që prej kurbanit që presim, duhet të përfitojë edhe familja jonë. Për këtë arsye, kurbanet që i kemi për detyrë t’i presim, mundësisht t’i presim pranë familjeve në vendet tona. Ndërsa kurbanet që janë sadaka, t’i dërgojmë në ndihmë të vëllezërve tanë nevojtarë, në botën islame, duke i uruar edhe ata me rastin e bajramit. Veçanërisht Afrika, për ne ka një kuptim të veçantë. Shumë prej shokëve më të zgjedhur të Rasulallahut (a.s.), ishin afrikanë. Bilal HabeshiuZejd bi HariseUsame, etj., ishin të gjithë prej Afrikës. Ata ishin vëllezërit tanë vetëmohues, që i shërbyen të parët Islamit, pa kursyer edhe jetët e tyre. Prandaj edhe ndihma që do t’u japim atyre vendeve, është një borxh që kemi ndaj tyre. Pejgamberi ynë (a.s.), këtë borxh, e ka shprehur në mënyrën më të bukur, kur të dërguarit e sunduesit të Etiopisë erdhën tek Rasulullahu (a.s.), me ç’rast ai u kujdes nga afër për ta, duke u shërbyer personalisht. Megjithëse sahabët i thanë që ato shërbime t’i kryenin ata dhe ai të rehatohej, Pejgamberi ynë (a.s.), u dha këtë përgjigje: “Këta, i kanë mirëpritur dhe i kanë gostitur vëllezërit e mi që emigruan në Etiopi. Tani, në këmbim të kësaj, edhe unë dua t’u shërbej atyre”. (Bejhaki, Shuabu’l-Iman, VI, 518, VII, 436.)

Gjithashtu, kur sunduesi i Etiopisë, Nexhashi Ashama ndërroi jetë, Pejgamberi ynë (a.s.), me një ndjenjë të lartë respekti, i fali namazin e xhenazes në mungesë dhe porositi sahabët që t’i luteshin Allahut për faljen e tij.[2] Sot edhe ne duhet të jemi vazhdues të ndjenjave të Pejgamberit tonë (a.s.), ndaj vëllezërve tanë afrikanë, duke i bërë ata të ndjejnë se vëllezërit e tyre myslimanë mendojnë për ta.

Sigurisht që Afrika nuk është i vetmi vend që pret ndihmë. Të gjithë myslimanët e botës janë vëllezërit tanë. Mirëpo, nëse marrim parasysh, mjerimin dhe vuajtjet që po përjetohen, në radhë të parë vjen Afrika, pastaj Lindja e Mesme, Azia e Mesme, Pakistani, zona të ndryshme të Rusisë, Ballkani etj. Për këtë arsye, dëshirojmë që brenda mundësive, të gjithë vëllezërit tanë të marrin pjesë në fushatën e ndihmës që organizohet me rastin e “Bajramit të Kurbanit”, për vëllezërit tanë në nevojë, veçanërisht në vendet që përmendëm. Kjo, sepse ata kanë nevojë për ndihmën tonë, ndërsa ne kemi nevojë për duanë/lutjen e tyre, “Allahu jua shpërbleftë!”, që del prej zemrës së tyre. Buzëqeshja që do të shkëlqejë në fytyrën e tyre, për ne do të jetë dhurata e vërtetë e bajramit, sepse siç janë shprehur edhe të dashurit e Allahut; “Bajrami i vërtetë nuk është për atë që vesh rroba të reja, por për atë që është i sigurt ndaj dënimit të Allahut”. Për këtë arsye, përgatitja për bajram nuk bëhet vetëm me rroba të reja, por më tepër me një ndërgjegje të pastruar siç duhet.

I dashuri i Allahut, Mevlana, në lidhje me ata që fokusohen vetëm në planin e jashtëm të kurbanit, pa qenë të vetëdijshëm ndaj këtyre të vërtetave dhe kushteve shpirtërore të tij, shprehet me këto fjalë qortuese:

“Ki kujdes, mos u mundo të bësh kurban hijen e dhisë!..”

Mishi dhe kocka e kafshës që bëhet kurban, është hija (e kurbanit); ndërsa thelbësore është kuptimi që shpreh ai (kurbani). Pra edhe shpirti duhet të jetë i vetëdijshëm ndaj këtij kuptimi. Në një ajet fisnik, urdhërohet:

“Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj!..” (Haxhxh, 37)

Treguesi më i bukur i shkallës së besimit, është mëshira. Ndërsa mëshirë, është që atë që zotëron, t’ua dhurosh nevojtarëve, duke plotësuar nevojat e tyre. Ky aspekt i kurbanit e bën atë një adhurim që mpreh ndjenjën e mëshirës në zemrat e besimtarëve. Bajrami i vërtetë është për robërit fatlumë, që në sajë të këtyre ndjenjave arrijnë të marrin vizën e shpëtimit të përjetshëm, duke ia kushtuar jetën dhe pasurinë Allahut Teala; për besimtarët altruistë, vetëmohues, bujarë e punëtorë, të cilët e marrin urimin e bajramit prej Allahut Teala, në sajë të një duaje të pranuar që është ngritur tek Ai nga një zemër e hidhëruar, e cila ka shijuar bajramin në sajë të tyre.

PUSHTIMI MË MADHËSHTOR, ËSHTË PUSHTIMI I ZEMRAVE. LUM ATA QË DUKE E BËRË ZEMRËN VEND-MËSHIRE PËR TË GJITHË BESIMTARËT DHE KRIJESAT, U JAPIN JETË NË SARAJET E SHPIRTIT TË TYRE…

Allahu Teala na bëftë të mundur një jetë të mbushur me frymëzim shpirtëror dhe frymën tonë të fundit e bëftë hapin e parë të paqes dhe lumturisë së një bajrami të përjetshëm!…

Amin!..

[1] Shih. Muslim, Edahi, 28, 34; Ebu Daud, Edahi, 9-10/2812.

[2] Shih. Muslim, Xhenaiz, 62-68; Ahmed, III 319, IV 7.

Share.

Comments are closed.