Adem Saraç

Para së gjithash, falënderimet qofshin për Allahun Teala, i cili na ka krijuar si myslimanë…

Salatet dhe selamet qofshin për të Dërguarin e Allahut (a.s.), ngaqë jemi umeti i tij dhe jemi nderuar me të…

Hixhri Rabiu’l-evvel, muaji Prill i e.s., na përgëzon çdo vit me një pranverë të veçantë…

Rabiu’l-evvel apo muaji Prill në të cilin ka lindur i Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, buzëqesh ndryshe çdo vit. Vjen si një festë e veçantë për çdo vit. Për këtë arsye, çdo Rabiu’l-evvel apo çdo muaj Prill, e festojmë me emocionin e një feste të madhe.

Për çdo vit që e festojmë ditëlindjen e të Dërguarit të Allahut (a.s.), pothuajse lindim edhe një herë tjetër…

Atëherë, kjo javë e kremtimeve të ditëlindjes së Hz. Pejgamberit, apo i gjithë muaji Rabiu’l-evvel ose muaji Prill, duhet të na shpjerë në një botë tjetër, duhet të na drejtojë nga mirësitë dhe të na bëjë njerëzit e mirë të botës së bukur. Vetëm mirësia nuk mjafton, andaj duhet të na çojë në një atmosferë mirësish mbi mirësi.

Java të cilën e quajmë “Java e Lindjes së Bekuar” dhe të cilën e kremtojmë me shumë emocione, është java në të cilën i Dërguari i Allahut (a.s.), e ka nderuar këtë botë me lindjen e tij.

Për këtë arsye, edhe ne si myslimanë përjetojmë një emocion të veçantë në çdo javë të tillë dhe pothuajse takohemi me Sulltanin e Pejgamberëve.

I Dërguari i Allahut (a.s.), i cili e nderoi këtë botë në një periudhë kur gjembat e kishin pushtuar çdo anë të saj, krahas gjithë atyre gjembave, e shndërroi mjedisin ku jetoi në një bahçe trëndafilash.

Ai e ndryshoi botën në një bahçe të tillë, saqë gjembat u shndërruan në trëndafila. Njerëzit e këqinj u bënë të mirë, ndërsa njerëzit e mirë u bënë edhe më të mirë. Ata kaluan nga grindjet në paqe dhe nga zemërimi në dashuri. Sepse tashmë kishte lindur dielli…

Me përpjekjet e të Dërguarit të Allahut (a.s.) dhe sahabëve të nderuar, të cilët ishin shokët e tij, ajo periudhë u shndërrua në Epokën e Lumturisë…

Vallë, a ka lindur edhe për ne ajo dritë? A ka çelur dhe buzëqeshur për ne ai trëndafil? Çfarë ka ngelur te ne prej asaj drite vezulluese dhe atij trëndafili të mrekullueshëm?

A nuk ishte ai pejgamberi i dashurisë? Sa ka ngelur te ne prej dashurisë së tij? A i do Pejgamberi i buzëqeshjes ata që i varin fytyrat? Ai nuk i do as ata që përçmojnë të tjerët, apo jo? Andaj nuk duhet të përçmojmë, nënvlerësojmë dhe shpërfillim asnjë, në mënyrë që edhe ai të na dojë.

I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, duhet të reflektojë në moralin, sjelljet, gjendjet dhe veprat tona. Ai duhet të lindë si një diell në jetën tonë…

Te të gjithë ne, qoftë në mënyrë shoqërore apo qoftë në mënyrë individuale, duhet të ketë një formë sjelljeje të marrë nga ai. Ata që na shohin, duhet të gjejnë te ne gjurmë nga ai…

Të gjithë e dimë se ai ishte i pastër dhe i dëlirë në të gjitha aspektet. Prandaj edhe ne duhet të jemi të pastër. Ai ishte një monument morali, andaj edhe ne duhet të bëhemi të moralshëm. Për shkak se ai ishte i ndershëm dhe i besueshëm, të gjithë i thoshin “el-Emin”, që do të thotë “i besueshmi”. Edhe ne duhet të bëhemi të besueshëm.

Ai ishte shumë punëtor, i rregullt dhe i disiplinuar… Edhe ne duhet të bëhemi punëtorë, të rregullt dhe të disiplinuar.

Vallë, a mund të themi se ai është jeta dhe çdo gjë e jona? A nuk duhet ta reflektojmë atë në çdo gjë tonën, në mënyrë që të arrijmë të themi kështu? Sa e reflektojmë atë në çdo gjë që kemi?

Sjelljet dhe veprat e bukura të atij ishin universale, sepse, morali, mirësia, puna dhe ndershmëria nuk kanë një shekull, vit apo kohë të caktuar. Këto janë virtyte të përhershme dhe të vlefshme përgjithmonë.

Atëherë, ejani të bëhemi edhe ne si ai! Le të punojmë shumë! Le të lexojmë shumë! Le të bëjmë shumë mirësi! Le të bëhemi shumë të ndershëm!..

Le t’i respektojmë dhe t’u bindemi të mëdhenjve tanë, me në krye nënën dhe babain dhe t’i pranojmë këshillat e tyre! Le t’i duam të vegjlit dhe t’i ndihmojmë ata, duke filluar që nga vëllezërit dhe motrat tona!

Le të lexojmë shumë libra, duke filluar me Kuranin Fisnik dhe Hadithet Fisnike!

Le t’i kryejmë në kohë dhe sa më bukur ibadetet, duke filluar nga falja e namazit!

Le ta duam më shumë se jetën tonë të Dërguarin e Allahut, alejhi’s-selam, i cili na do shumë dhe është shumë i dhënë pas nesh, sepse ai ka një pozitë dhe vlerë shumë të madhe tek Allahu Teala. Ai është robi dhe Pejgamberi më i dashur i Allahut… Ai është robi shumë i veçantë i Allahut të Madhëruar…

Allahu Teala ka shfaqur interesim shumë të veçantë ndaj robit të Tij shumë të veçantë. Gjithashtu, ka kërkuar që edhe ne të shfaqim interesim shumë të veçantë ndaj atij. I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, duhet të jetë shumë i veçantë edhe për ne…

A mund të mendojmë se çfarë do të thotë që Allahu dhe i Dërguari i Tij na duan shumë ne?

Për ta merituar këtë dashuri më të lartë, tashmë duhet të përpiqemi t’i bëjmë me një dashuri të madhe punët që i duan dhe prej të cilave janë të kënaqur Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe të qëndrojmë larg punëve që nuk i duan dhe nuk u pëlqejnë Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

I Dërguari i Allahut (a.s.), ishte një njeri me moral të lartë dhe shembullor në çdo çështje. Tashmë edhe ne, ngaqë e duam shumë atë, duhet të përpiqemi për ta marrë shembull në çdo gjë që duhet të bëjmë.

Në çdo kohë dhe në çdo vend do të bëhemi myslimanë të moralshëm, të ndershëm, punëtorë, të drejtë, të sjellshëm, njerëz që i respektojnë të mëdhenjtë, njerëz që i duan e i ndihmojnë të vegjlit dhe njerëz shembullorë plot dashuri, inshallah.

Ne duhet të qëndrojmë larg çdo fjale, mendimi, sjelljeje dhe vepre të keqe. Gjithmonë duhet të përpiqemi për mirësi dhe t’ia hapim derën çdo lloj begatie.

Ai që e do shumë të Dërguarin e Allahut (a.s.), vazhdimisht bën ato që do dhe që ka këshilluar ai. Mbi të gjitha, ndjehet shumë i lumtur kur i bën. Në këtë mënyrë, fiton një personalitet plot dashuri.

Ai që e do të Dërguarin e Allahut (a.s.), nuk përpiqet vetëm për veten e tij, por bën ç’të mundet për të gjithë njerëzit. Më e pakta, është i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm për këtë.

Allahu i Madhëruar na përgëzon se Hazreti Pejgamberi na do shumë ne dhe është shumë i dhënë pas nesh. Gjithashtu na përgëzon se i Dërguari i Allahut (a.s.), na do shumë dhe se dëshiron të jetë bashkë me ne në xhenet…

A ka ndonjë përgëzim më të madh se ky për një mysliman?

Ne kemi një Pejgamber që na do shumë dhe që dëshiron të jetë bashkë me ne edhe në xhenet. Atëherë, edhe ne duhet ta duam shumë atë dhe t’i bëjmë me një dashuri të madhe ato që na ka urdhëruar për t’i bërë.

Sepse ne e duam shumë atë…

Salallahu alejhi ve selem…

Share.

Leave A Reply