Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Fisnik:

“…Kijeni frikë Allahun dhe dijeni se do të takoheni me Të. Jepu lajm të mirë besimtarëve (se do të fitojnë Xhenetin).” (Bakara, 223)

Kur Taluti u nis për luftë bashkë me ushtrinë, u tha atyre: “Allahu do t’ju provojë me një lumë. Kush pi ujë në të, nuk është ushtari im. Ndërsa kush nuk pi ujë në të ose kënaqet vetëm me një grusht ujë, është ushtari im”. Por të gjithë pinë, përveç një pakice. Pasi ai me ata (ushtarë) që ishin besimtarë kaluan lumin, shumë prej tyre thanë: “Ne sot nuk kemi fuqi të luftojmë me Xhalutin dhe ushtrinë e tij”. Por ata që ishin të bindur se do të takoheshin me Allahun, thanë: “Sa herë, me ndihmën e Allahut, një ushtri e vogël ka ngadhënjyer mbi një ushtri të madhe! Allahu është me të durueshmit.” (Bakara, 249)

Ata thoshin: “S’ka tjetër, përveç jetës në këtë botë dhe ne nuk do të ringjallemi”.

“Ah, sikur t’i shohësh ata kur të dalin para Zotit! Ai do t’u thotë: ‘A nuk është e vërtetë kjo?’ Ata do të përgjigjen: ‘Po, është e vërtetë, për Zotin tonë!’ Allahu do t’u thotë: “E pra, tani shijoni dënimin, sepse nuk besuat!”

“Sigurisht që janë të humbur ata që mohojnë takimin me Allahun! Kur Ora (e Kiametit) t’u vijë papritur, ata do të thërrasin: “Të mjerët ne, sa shumë që e kemi neglizhuar (Kiametin) në jetën e tokës!” dhe do të bartin gjynahet e veta mbi shpinat e tyre. Eh, sa e shëmtuar është ajo barrë!”

“Jeta e kësaj bote është vetëm lojë e argëtim, kurse bota tjetër, pa dyshim që është më e mirë për ata që i frikësohen Allahut. Pra, a nuk po mendoni?” (En’am, 29-32)

“O tog i xhindëve dhe i njerëzve, a nuk ju patën ardhur të dërguar nga mesi juaj, për t’ju treguar shpalljet Tona dhe për t’ju paralajmëruar takimin me këtë ditë?” Ata do të thonë: “Ne dëshmojmë kundër vetes sonë”. Vërtet, jeta e kësaj bote i mashtroi ata, kështu që ata do të dëshmojnë kundër vetes se kanë qenë mohues.” (En’am, 130)

“Ne i dhamë Musait Librin si plotësim (të mirësisë Sonë) për atë që vepron mirë, si shpjegim për çdo gjë dhe si udhërrëfyes e mëshirë, që ata (hebrenjtë) të mund të besonin në takimin me Zotin e tyre.” (En’am, 154)

…Ata thonë: “Në të vërtetë, Allahu këto i ka ndaluar për mohuesit, të cilët e morën fenë për lojë dhe argëtim dhe u mashtruan nga jeta e kësaj bote”. Ne sot do t’i harrojmë ata, ashtu siç e patën harruar ata takimin e kësaj Dite dhe siç mohuan shpalljet Tona.” (A’raf, 50-51)

“Atyre që mohojnë shpalljet Tona dhe takimin në botën tjetër, do t’u zhvlerësohen veprat. A do të dënohen ndryshe, veçse sipas punëve që kanë bërë?!” (A’raf, 147)

“Ditën kur do t’i tubojë, atyre do t’u duket sikur nuk kanë ndenjur në tokë, veçse një çast të shkurtër dite, aq sa për të njohur njëri – tjetrin. Vërtet, janë të humbur ata që nuk e besojnë takimin me Allahun e nuk janë në rrugë të drejtë.” (Junus, 45)

“Allahu është Ai që qiejt i ka ngritur me shtylla, të cilat nuk mund t’i shihni e më pas është ngritur mbi Fron. Ai ka nënshtruar Diellin dhe Hënën; të gjitha këto rrotullohen për një kohë të caktuar. Ai i drejton të gjitha çështjet dhe i shpjegon në hollësi shpalljet, me qëllim që ju të bindeni se do të takoheni me Zotin tuaj.” (Rra’d, 2)

“Allahut, të Cilit i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Mjerë mohuesit për dënimin e tmerrshëm (që i pret)!”

“Mjerë ata që jetën e kësaj bote e duan më shumë se atë të botës tjetër, që largojnë njerëzit nga rruga e Allahut dhe dëshirojnë ta shtrembërojnë atë! Ata janë në humbje të madhe.” (Ibrahim, 2-3)

Thuaj: “Unë jam vetëm një njeri si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (Kehf, 110)

“Atyre u çuam një të dërguar nga gjiri i tyre, që u tha: “Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër, përveç Tij! Vallë a nuk frikësoheni?!”

“Por paria e popullit të tij, e cila nuk besonte dhe e mohonte takimin në botën tjetër dhe, së cilës, i kishim dhënë të mira në këtë botë, tha: “Ky është vetëm njeri si ju, ha nga ato që hani edhe ju dhe pi nga ato që pini edhe ju!”

“Nëse i bindeni një njeriu si ju, me siguri, do të jeni të humbur!”

“A ju premton ai që, kur të vdisni e të bëheni pluhur dhe eshtra, do të ringjalleni vërtet?!”

“Sa premtim qesharak që është!”

“Nuk ka jetë tjetër përveç jetës së kësaj bote, ne jetojmë e vdesim e nuk do të ringjallemi më.” (Mu’minun, 32-37)

“Kush shpreson takimin e Allahut, ta dijë se Dita e caktuar nga Ai do të arrijë. Ai dëgjon dhe di gjithçka.” (Ankebut, 5)

“Jeta e kësaj bote, nuk është gjë tjetër, veçse argëtim dhe lojë. Ndërsa jeta e botës tjetër, pikërisht ajo është jeta e vërtetë. Veç sikur ta dinin!” (Ankebut, 64)

“Vallë, a nuk mendojnë ata në vetvete? Allahu ka krijuar qiejt dhe tokën dhe ato që gjenden në mes tyre – vetëm me qëllim dhe afat të caktuar. E, me të vërtetë, shumica e njerëzve nuk besojnë në takimin me Zotin e tyre.” (Rum, 8)

“Allahu e fillon krijimin e pastaj e përsërit dhe pastaj tek Ai do të ktheheni.” (Rum, 11)

Ata thonë: “Vallë, pasi të humbasim nën tokë, përsëri do të ngjallemi?” Vërtet, ata nuk besojnë se do të takohen me Zotin e tyre.”

Thuaju: “Shpirtin do t’jua marrë engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj.” (Sexhde, 10-11)

(Ne do t’u themi atyre): “Shijoni dënimin, sepse nuk e keni besuar takimin e kësaj dite. Në të vërtetë, Ne ju kemi braktisur, prandaj shijoni dënimin e përhershëm për atë që keni bërë!” (Sexhde, 14)

“Tek Ai do të ktheheni të gjithë. Premtimi i Allahut është i vërtetë. Ai e zë fill krijimin e pastaj e përsërit atë, që t’i shpërblejë me të drejtë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Sa i përket atyre që nuk besojnë, ata do të kenë pije nga uji i vluar dhe dënim të madh, për shkak se kanë mohuar.” (Junus, 4)

“Sigurisht, ata që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, që janë të kënaqur me jetën e kësaj bote, duke gjetur prehjen në të dhe që janë të pavëmendshëm ndaj shenjave Tona, do të kenë si vendstrehim zjarrin, për atë që kanë bërë.” (Junus, 7-8)

“Sikur Allahu, t’ua shpejtonte të keqen njerëzve, ashtu siç e dëshirojnë shpejt të mirën, me të vërtetë që ata do të zhdukeshin. Megjithatë, ata që nuk shpresojnë takimin Tonë, Ne i lëmë të bredhin të verbër në humbjen e tyre.” (Junus, 11)

“E, kur u lexohen shpalljet Tona të qarta, atëherë ata që nuk shpresojnë se do të dalin, para Nesh thonë: “Na sill ndonjë Kuran tjetër ose ndërroje atë!” Thuaj (o Muhamed): “Është e pamundur ta ndërroj unë atë nga ana ime. Unë shkoj vetëm pas asaj që më është shpallur. Unë druaj, nëse e kundërshtoj Zotin tim, dënimin e Ditës së Madhe.” (Junus, 15)

“Ata, që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, thonë: “Pse nuk na dërgohen neve engjëjt ose të shohim Zotin tonë?” Ata, me të vërtetë, janë treguar kryeneçë dhe kanë kaluar çdo kufi në arrogancë dhe padrejtësi.” (Furkan, 21)

“Atëherë ti, o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt.” (Inshikak, 6)

“Ai jetonte i shkujdesur në familjen e tij, duke menduar se kurrë nuk do të kthehej (për të dhënë llogari).” (Inshikak, 13-14)

Share.

Leave A Reply