Ata janë ortakë me ju në shpërblim - Mirësia Islame

Ata janë ortakë me ju në shpërblim

Ebu Abdullah Xhabir ibn Abdullah el- Ensarij (r.anhuma), ka thënë: Njëherë, ishim në një betejë bashkë me të Dërguarin e Allahut (a.s.), i cili tha: “Në Medinë ka burra të tillë, që megjithëse nuk kanë marrë pjesë në betejë për…


Publikuar:

shpërblimi

Ebu Abdullah Xhabir ibn Abdullah el- Ensarij (r.anhuma), ka thënë:

Njëherë, ishim në një betejë bashkë me të Dërguarin e Allahut (a.s.), i cili tha:

“Në Medinë ka burra të tillë, që megjithëse nuk kanë marrë pjesë në betejë për shkak të sëmundjes, ata janë me ju në çdo rrugë dhe luginë që kaloni.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ata janë ortakë me ju në shpërblim

(Muslim, Imare, 159.)

Xhabir ibni Abdullah (r.anhuma.)

Xhabir ibni Abdullah (r.a.), ka lindur në Medine 16 vjet para Hixhretit. Babai i tij, Abdullah ibni Amr ibni Haram, ishte dëshmori i parë që ra në luftën e Uhudit. Sa kishte babanë gjallë, ai nuk mori pjesë në beteja për shkak se ishte i detyruar të kujdesej për 9 motrat e tij. Pas vdekjes së babait, ai mori pjesë në 19 beteja së bashku me të Dërguarin e Allahut (a.s.). Xhabiri ishte anëtari më i vogël i 70 pjesëmarrëseve në Besatimin e Dytë të Akabes.

Profeti Muhamed (a.s.), ushqente një dashuri të madhe për Xhabirin (r.a.). Herë pas here, ai e merrte me vete mbi deve dhe kur sëmurej, i shkonte për vizitë. Xhabiri (r.a.), pati vështirësi në shlyerjen e borxheve që kishte lënë babai i tij kur ra dëshmor. Shumica e huadhënësve ishin hebrenj dhe kërkonin menjëherë shlyerjen e borxhit. Por ai nuk kishte burim tjetër të ardhurash përveç një plantacioni të vogël hurmash, që për fat të keq atë vit kishte dhënë shumë pak prodhim. Kur Abdullah ibni Xhabiri (r.a.), ia paraqiti Profetit (a.s.), shqetësimin e tij, ai e urdhëroi të mblidhte hurmat në formë grumbujsh. Më pas, Profeti (a.s.), filloi t’i jepte të gjithëve borxhin e tyre, duke marrë si masë dorën e tij të bekuar. Kështu, në mënyrë të mrekullueshme, Profeti ynë (a.s.), jo vetëm që i shleu të gjitha borxhet e Xhabirit (r.a.), por u vu re se hurmat nuk u pakësuan fare.

Kur po ktheheshin nga beteja “Zatu’r-Rika”, gjatë bisedës me të, Profeti (a.s.), mësoi se Xhabiri (r.a.), sapo ishte martuar dhe kishte shumë borxhe për të shlyer. Për këtë arsye, Profeti (a.s.), i kërkoi t’ia shiste atij devenë që kishte. Pasi prenë pazarin, i Dërguari i Allahut (a.s.), e bleu devenë e Xhabirit (r.a.), me kusht që ai t’ia dorëzonte Profetit (a.s.), kur të mbërrinin në Medinë. Kur Xhabiri (r.a.), shkoi tek Profeti (a.s.), për t’i dorëzuar devenë, ai (a.s), e pagoi devenë që bleu dhe i dha Xhabirit (r.a.), një deve tjetër dhuratë. Kjo ndihmë e pashoqe që bëri Profeti (a.s.), i preku shumë sahabët. Më vonë, kjo ndodhi filloi të përmendej si “Lejletu’l-bari / Nata e devesë”. Atë natë, i Dërguari i Allahut (a.s.), iu lut 25 herë Allahut që ta mëshironte Xhabirin (r.a.).

Për shkak se ishte një nga shtatë sahabët që ka transmetuar mbi një mijë hadithe, Xhabiri (r.a.), është quajtur “Muksirun”. Numri i haditheve të transmetuara prej tij arrin shifrën 1540 bashkë me përsëritjet. Një herë, Xhabiri (r.a.), mori vesh se sahabiu Abdullah ibni Unejs (r.a.), dinte një Hadith, që ai vetë nuk e kishte dëgjuar prej Profetit (a.s.). Ky Hadith bënte fjalë për personin, i cili nuk do të hynte në Xhenet për shkak se u kishte hyrë në hak të dobëtëve. Xhabiri (r.a.), dëshironte ta dëgjonte këtë Hadith drejtpërdrejtë prej atij që e kishte dëgjuar vetë nga i Dërguari i Allahut (a.s.). Mirëpo, sahabiu në fjalë banonte në Sham. Për këtë arsye, Xhabiri (r.a.), bleu një deve dhe u nis për në Sham. Pas një muaji udhëtim, ai arriti në Sham dhe e mësoi Hadithin direkt prej Abdullah ibni Unejsit (r.a.).

Nga fundi i jetës, ai humbi shikimin dhe më pas ndërroi jetë në vitin 78 Hixhri, në moshën 94 vjeçare. Xhabir ibni Abdullah (r.a.), ishte sahabiu i fundit që vdiq në Medinë.

Allahu qoftë i kënaqur me të!

Ky Hadith do të përsëritet në atë me numër 1345. Për këtë arsye, edhe shpjegimi do të bëhet njëherësh me të.

Copyright © 2025 - Shoqata V.H.K Istanbul | Ndalohet përdorimi dhe riprodhimi i përmbajtjes së kësaj faqeje pa leje dhe autorizim