Për shkak të zisë që kishte pllakosur çdo vend, Jakubi (a.s.), i dërgoi djemtë e tij për të marrë ushqime në Egjipt. Ndërsa vëllain nga nëna të Jusufit, Benjaminin, e mbajti pranë vetes.

“Erdhën vëllezërit e Jusufit e hynë tek ai. Ai i njohu, por ata nuk e njohën. Kur i furnizoi ata me ushqim të nevojshëm, u tha: «Më sillni vëllain tuaj prej babait! A nuk e shihni se unë jua jap masën të plotë dhe jam më i miri mikpritës? Nëse nuk ma sillni atë, nuk do të ketë më ushqim për ju dhe mos ejani tek unë»!

Ata thanë: «Ne do të përpiqemi disi, që ta sjellim nga baba i tij dhe do ta bëjmë këtë». (Ndërkohë) Jusufi u tha shërbëtorëve të vet: «Ngarkoni barrët në kafshët e tyre e ua fusni brenda paratë! Ata do t’i gjejnë ato, kur të shkojnë te familja e vet, kështu që do të kthehen përsëri te ne».

Kur u kthyen te babai i tyre, ata thanë: «O ati ynë! Nuk do të na japin më ushqim. Prandaj dërgoje me ne vëllain tonë, që të mund të marrim ushqim; të sigurojmë se ne do ta ruajmë atë!» Ai u tha: «A mos vallë t’jua besoj juve, ashtu siç jua pata besuar më parë vëllain e tij? Allahu është Ruajtësi më i mirë dhe Ai është më i Mëshirshmi i mëshiruesve»!” (Jusuf, 58-64)

Kur Jakubi (a.s.), tha:

“Allahu është mbrojtësi më i mirë. Ai është Mëshiruesi i mëshiruesve!” Allahu i Madhëruar urdhëroi:

“Meqenëse ti po mbështetesh tek Unë në këtë mënyrë, atëherë edhe Unë për hir të Madhështisë Sime, do të të bashkoj me të dy bijtë përnjëherësh!”

Ajo që kuptohet këtu, është se; besimtarët duhet t’i mbështeten vetëm Allahut dhe s’duhet t’i besojnë mbrojtjes së të tjerëve. Kjo, sepse përveç Allahut, çdo gjë tjetër ka nevojë të mbrohet për vete. Kurse Allahu i Madhëruar, nuk është nevojtar për asgjë dhe për askënd!

Djemtë e Jakubit (a.s.), po bënin çdo përpjekje për ta bindur të atin që t’ua jepte Benjaminin me vete për në Egjipt:

“Kur i çelën barrët e tyre dhe gjetën të hollat e tyre, që ua kishin kthyer, ata thanë: «O ati ynë! Ç’duam më tepër? Këto janë gjërat tona; na janë kthyer. Ne do ta furnizojmë familjen tonë, do ta ruajmë vëllain tonë dhe do ta shtojmë një barrë deveje (ushqim), e kjo është barrë e lehtë.»

Më në fund, Jakubi (a.s.), pranoi ta dërgojë Benjaminin së bashku me vëllezërit:

Ai tha: «Unë kurrsesi nuk do ta dërgoj me ju, derisa të betoheni në Allahun, se do të ma ktheni, me përjashtim të rastit kur ju rrezikon ndonjë e keqe e madhe (të gjithëve).» Kur ata u betuan, ai u tha: «Allahu është dorëzënës për atë që flasim ne. O djemtë e mi, mos hyni nga e njëjta portë (e qytetit), por nga porta të ndryshme. Unë nuk mund të largoj prej jush asgjë nga (ajo që ju ka caktuar) Allahu! Se pushteti i përket vetëm Allahut. Tek Ai mbështetem unë dhe tek Ai le të mbështeten ata që dëshirojnë të jenë të mbështetur (tek Allahu)»!” (Jusuf, 65-67)

Shkaku që Jakubi (a.s.), u tha djemve që të hynin në Egjipt nga dyer të ndryshme, ishte se ata qenë të veshur mirë e ishin të pashëm dhe se herën e parë ishin pritur në mënyrë të veçantë nga mbreti. Për rrjedhojë, edhe shikimet plot habi të të gjithëve ishin mbi ta dhe, po të hynin bashkë në qytet, mund të pësonin ndonjë të keqe.

Kur ata hynë (në qytet), ashtu siç i urdhëroi babai i tyre, dëshira e Jakubit u përmbush, por kjo nuk i ndihmoi aspak para caktimit të Allahut. Ai (Jakubi), në të vërtetë, ka qenë dijetar i madh, sepse Ne e kemi mësuar, por shumica e njerëzve nuk e di.” (Jusuf, 68)

 

Unë jam vëllai yt, Jusufi

“Kur dolën para Jusufit, ky e afroi vëllain e vet (Benjaminin) dhe i tha: «Unë në fakt jam vëllai yt dhe mos u hidhëro për atë që më bënë vëllezërit tanë!»” (Jusuf, 69)

Siç rrëfehet, Jusufi (a.s.), i gostiti vëllezërit, duke i ulur dy e nga dy në sofër. Kur Benjamini mbeti i vetëm, filloi të qajë duke thënë:

“Po të ishte gjallë vëllai im, Jusufi, do të rrinte me mua!”

Pas kësaj, Jusufi (a.s.), e mori të vëllain në sofrën e vet. Kur mbaruan ushqimin, i vendosi vëllezërit përsëri dy e nga dy nëpër shtëpi, kurse Benjaminin, që kishte mbetur përsëri vetëm, e mori me vete duke i thënë:

“Ky s’ka të dytë; kështu që le të qëndrojë me mua!”

Në këtë mënyrë, Benjamini e kaloi natën në shtëpinë e Jusufit (a.s.), i cili i tha:

“A më pranon mua si vëlla në vend të vëllait të vdekur?”

Benjamini iu përgjigj:

“E kush nuk do ta pranonte një vëlla si ti? Mirëpo babai yt s’është Jakubi, dhe nëna jote nuk është Rahila!..” Sapo dëgjoi këto fjalë, Jusufi (a.s.), filloi të qajë dhe iu hodh Benjaminit në qafë. Pastaj i tregoi të vërtetën:

«Unë në fakt jam vëllai yt dhe mos u hidhëro për atë që më bënë vëllezërit tanë!»

Në thënien e Jusufit, “mos u hidhëro për atë që më bënë vëllezërit tanë”, aludohet në faktin se Allahu nuk u jep sukses dredhive të ziliqarëve. Pra, megjithëse vëllezërit nuk lanë gjë pa i bërë Jusufit, si përfundim ata nuk ia arritën dot qëllimit të tyre. Allahu i Madhëruar, në fillim bashkoi dy vëllezërit, pastaj edhe Jakubin (a.s.), bashkë me ta!

 Jusufi pengon Benjaminin të kthehet

Pasi u njohën mirë, Jusufi (a.s.), i tha Benjaminit:

“O vëlla! Unë do të të mbaj këtu! Ti e di se sa shumë ka vuajtur babai ynë pas ndarjes sime. Dhe, po të të mbaj edhe ty këtu, vuajtja e tij do të shtohet edhe më shumë. Mirëpo, na duhet të veprojmë kështu, me qëllim që të takohemi sa më shpejt me të. Lidhur me këtë çështje, unë do përgatit një plan të bukur…”

“Pasi i furnizoi me ushqimin e nevojshëm, (Jusufi) shtiu një kupë (të çmueshme) në ngarkesën e vëllait të vet. Pastaj një lajmëtar thirri: «O karvan, ju jeni vjedhës të vërtetë!» Ata u kthyen drejt tyre (e thanë): «Ç’ju ka humbur»?

Thanë: «Po kërkojmë kupën e mbretit. Kush e sjell atë, ka shpërblim një barrë deveje ushqim. Unë për këtë jam dorëzënës».

(Vëllezërit e Jusufit) thanë: «Betohemi për Allahun, ju e dini se ne nuk kemi ardhur të krijojmë trazira në këtë vend dhe nuk jemi vjedhës».

Ata pyetën: «E cili do të jetë dënimi, nëse ju gënjeni»?

(Vëllezërit) thanë: «Dënimi për atë, në barrën e të cilit gjendet kupa, është që vetë ai të mbahet peng. Kështu i dënojmë ne keqbërësit.»” (Jusuf, 70-75)

Sipas ligjit të profetit Jakub (a.s.), kur kapej një vjedhës, ai dënohej me një vit punë të detyruar (si skllav) te pronari i mallit. Ndërsa sipas ligjeve të Egjiptit, vjedhësi dënohej me rrahje dhe me pagesën e dyfishit të mallit të vjedhur. Mirëpo, për të mbajtur pranë vetes Benjaminin, Jusufi (a.s.), dëshiroi ta dënonte atë sipas ligjeve të babait të tyre.

“Filloi të kontrollojë barrët e tyre, para barrës së vëllait të Jusufit. Pastaj nxori kupën nga barra e vëllait të tij. Kështu, Ne e mësuam Jusufin, të planifikojë. Ai, sipas ligjit të mbretit nuk mund ta merrte (për skllav) vëllain e vet, përveç se me vullnetin e Allahut.  Ne e ngremë lart atë që duam, e mbi çdo të ditur është një i Gjithëdijshëm. 

(Bijtë e Jakubit) thanë: «Nëse ky ka vjedhur, më parë ka vjedhur edhe vëllai i tij!» Jusufi heshti për këtë dhe nuk zbuloi gjë, por mendoi në vetvete: «Ju jeni në pozitë më të keqe. Allahu është më i dijshëm për ato që thoni ju».” (Jusuf, 76-77)

Siç rrëfehet, halla e donte shumë Jusufin. Por, kur u rrit Jusufi, i ati deshi ta merrte pranë. Mirëpo, halla nuk mund të ndahej prej Jusufit. Për këtë arsye, babai i lidhi Jusufit brezin që i kishte ngelur trashëgim nga babai i tij, Ibrahimi (a.s.) dhe më pas tha se i kishte humbur brezi. Brezi u kërkua dhe u gjet te Jusufi. Sipas ligjit, Jakubi (a.s.), e mori dhe e mbajti Jusufin pranë vetes. Kjo ishte “vjedhja e Jusufit” për të cilën folën vëllezërit.

(Bijtë e Jakubit) thanë: «O ministër, ai e ka babanë shumë plak, andaj merr ndonjërin prej nesh në vend të tij! Ne po shohim se ti je bamirës».

(Jusufi) tha: «Allahu na ruajtë; si të marrim një tjetër në vend të atij te i cili e kemi gjetur sendin tonë! Atëherë, ne, me të vërtetë, do të ishim të padrejtë!»

Meqë e humbën shpresën në të (Jusufin), u shpërndanë dhe u këshilluan fshehurazi. Më i madhi nga ata tha: «A nuk e dini që babai juaj ka marrë prej jush betimin në Allahun. Ju edhe më parë e keni shkelur betimin që bëtë për Jusufin. Nuk do të ndahem prej këtij vendi, derisa të më lejojë babai im ose të më gjykojë Allahu, sepse Ai është Gjykatësi më i mirë. Kthehuni te babai juaj dhe thoni: O babai ynë, djali yt ka vjedhur. Ne dëshmojmë vetëm për atë që dimë. Ne nuk mund ta parashikonim të panjohurën. Pyet banorët e qytetit në të cilin kemi qenë dhe karvanin me të cilin kemi udhëtuar dhe ki besim se ne jemi të drejtë»!” (Jusuf, 78-82)

Vëllezërit u ngritën dhe shkuan i thanë babait fjalët që u tha vëllai i madh.

 

Share.

Leave A Reply