Kur Merjemja ishte pesëmbëdhjetë vjeçe, u fejua me një person të quajtur Jusuf Nexhar. Por, para se të martohej me të, Allahu e përgëzoi se do t’i jepte një fëmijë pa baba:

(Kujto) kur melekët thanë: «O Merjeme! Allahu të jep lajmin e mirë për një (djalë që do të lindë me një) Fjalë prej Tij: emrin do ta ketë Mesih – Isa biri i Merjemes, do të jetë i nderuar në këtë botë dhe në tjetrën dhe një nga të afërmit e Allahut.»” (Al-i Imran, 45)

Gjithashtu, melekët i thanë Merjemes:

“Ai do t’u flasë njerëzve qysh i vogël në djep edhe si njeri i rritur dhe do të jetë nga më të mirët.” (Al-i Imran, 46)

Pas kësaj:

“Ajo (Merjemja) tha: «Zoti im! Si do të kem unë fëmijë, kur nuk më ka prekur askush?!»– «Kështu – tha (engjëlli) – Allahu krijon ç’të dojë Vetë. Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të: «Bëhu!» – dhe ajo bëhet.»” (Al-i Imran, 47)

Engjëjt e vazhduan kështu fjalën e tyre drejtuar Merjemes lidhur me Isain:

(Allahu) do t’ia mësojë atij shkrimin, diturinë, Teuratin dhe Ungjillin!” (Al-i Imran, 48)

Në disa ajete të tjerë, lidhur me këtë ngjarje, urdhërohet:

Ne i dërguam Shpirtin Tonë, i cili iu paraqit asaj si një njeri i plotë.” (Merjem, 17)

Megjithatë, kur pa para vetes një të huaj, ajo u tremb shumë për shkak të ndershmërisë dhe edukatës që kishte. Pra, ajo u frikësua, sepse nuk e dinte se ai ishte Xhebraili (a.s.).

“Ajo i tha: «Unë kërkoj që të më mbrojë i Gjithëmëshirshmi prej teje, nëse i  frikësohesh Allahut.» Ai tha:

«Në të vërtetë, unë jam vetëm një i dërguar i Zotit tënd, që të të dhuroj ty një djalë të pastër.» Ajo tha:

«Si mund të kem unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur e nuk jam as e pacipë?!» Iu përgjigj:

«Kështu është! Zoti yt ka thënë: «Kjo për Mua është e lehtë. Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë!» Dhe kjo është punë e kryer.»” (Merjem, 18-21)

*

Dhe, ashtu siç kishte vendosur Allahu:

“Ajo (Merjemja) mbeti shtatzënë dhe u tërhoq me të në një vend të largët.” (Merjem, 22)

Kur Merjemes filluan t’i rëndoheshin dhimbjet e lindjes, ajo u afrua pranë një trungu hurme të tharë dhe u mbështet në të. Në Kuran urdhërohet:

“Dhembjet e lindjes e detyruan atë që të shkonte te trungu i një hurme. Ajo tha: «Ah, sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarjeje) dhe të isha harruar krejt!»” (Merjem, 23)

Më në fund, nën trungun e tharë të hurmës erdhi në botë Isai (a.s.).

Allahu i Madhëruar, me fuqinë e Tij të pafundme, e krijoi Isain (a.s.), pa baba, si shfaqje të madhështisë së Tij hyjnore, ashtu siç krijoi edhe Ademin (a.s.), nga dheu, pa nënë e pa babë, dhe Havanë nga Ademi, pa nënë.

Mes lindjes së Isait (a.s.) dhe krijimit të Ademit (a.s.), ka një ngjashmëri, që është fakti se ata të dy janë krijuar me urdhrin e drejtpërdrejtë të Allahut: “Bëhu!”

إِنَّ مَثَلَ عِيسَىٰ عِندَ اللَّـهِ كَمَثَلِ آدَمَ ۖ خَلَقَهُ مِن تُرَابٍ ثُمَّ قَالَ لَهُ كُن فَيَكُونُ

“Rasti i Isait për Allahun, është si rasti i Ademit, që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: «Bëhu!» – dhe ai u bë.” (Al-i Imran, 59)

Ky ajet fisnik, është edhe shprehje e pafundësisë së fuqisë së Allahut, edhe vërtetim i ndershmërisë së Merjemes, përkundër hutimit fillestar të çifutëve, e pastaj të shpifjeve të tyre kundër saj.

*

Ndërkaq, në burimet bibliografike nuk ka asnjë shënim mbi datën e lindjes së Isait (a.s.). Madje, një e dhënë e tillë nuk haset as në Ungjijtë. Megjithëse vetëm në një prej Ungjijve shënohet se Isai (a.s.), ka lindur në kohën e një mbreti hebre[1], burimet romake thonë se ky mbret ka vdekur para Erës së Re. Për rrjedhojë, të gjitha informacionet e dhëna, nuk përputhen me njëra-tjetrën. Në këtë mënyrë, edhe data e festimit të krishtlindjeve nuk shkon përtej një hamendësie historike.

Për këtë arsye, ndërkohë që katolikët i festojnë krishtlindjet në datat 24-25 Dhjetor, kishat e Lindjes e festojnë në 6-7 Janar. Ndërsa një pjesë e protestantëve, pretendojnë se data e krishtlindjeve nuk përmendet në tekstet e shenjta, prandaj dhe nuk e festojnë fare.

*

Pas lindjes së Isait (a.s.):

“Një zë e thirri nga poshtë: «Mos u pikëllo, se Zoti yt të ka bërë një burim uji poshtë teje!»” (Merjem, 24)

Pastaj zëri vazhdoi:

“Shkunde trungun e palmës, që të bien mbi ty hurma të freskëta!” (Merjem, 25)

Merjemja e tërhoqi degën e hurmës nga vetja dhe e shkundi. Megjithëse ishte stina e dimrit, trungu i thatë i hurmës filloi të lëshojë hurma të freskëta. Merjemja pinte nga uji që i rridhte para këmbëve dhe hante hurma të freskëta. Të gjitha këto, e qetësuan Merjemen, së cilës iu tha:

“Ha, pi dhe qetësohu. Nëse vëren ndonjë njeri, i thuaj: «Unë jam betuar në të Gjithëmëshirshmin se do të agjëroj, prandaj sot nuk do të flas me askënd.»” (Merjem, 26)

Nga sa kuptohet, në kohën e Merjemes, agjërohej jo vetëm duke ndërprerë ngrënien dhe pirjen, por edhe të folurën. Me lindjen e Isait (a.s.), mes popullit filloi një furtunë e madhe thashethemesh dhe shpifjesh.

“Dhe u kthye te populli i vet, duke mbajtur fëmijën. Ata i thanë: «O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme! O motra e Harunit! Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e shthurur.»” (Merjem, 27-28)

Haruni për të cilën flitet në ajet, nuk është Haruni, vëllai i Musait (a.s.). Sipas pikëpamjes më të pranuar, Haruni ka qenë vëllai i vërtetë i saj. Në atë kohë, ishte zakon që fëmijëve t’u viheshin emrat e të parëve të mirë.[2] Edhe ai njihej si njeri i ndershëm sikurse edhe prindërit e vet, prandaj populli ia përmendi Merjemes vëllain, për t’i thënë se veprimi i saj nuk i kishte hije prejardhjes së saj.

Merjemja ofendohej vazhdimisht nga bijtë e Izraelit. Ndërsa ajo i dëgjonte me durim dhe, siç qe urdhëruar, nuk fliste fare. Mirëpo, kur sjelljet e pavend të popullit u shtuan shumë, atëherë i erdhi edhe ndihma e Allahut:

“Ajo bëri me shenjë nga i biri. Ata thanë: «Si t’i flasim ne fëmijës që është në djep?»” (Merjem, 29)

Isai (a.s.), i cili në të ardhmen do të bëhej i Dërguari Allahut, në sajë të mundësisë për të folur, të dhuruar nga Allahu, filloi të flasë që në djep, duke thënë:

“…«Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zekat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm. Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!»” (Merjem, 30-33)

E folura e Isait (a.s.), që në djep, shkaktoi habi të thellë tek të gjithë. Pas kësaj, njerëzit e kuptuan se Merjemja ishte e pastër dhe e pafajshme, prandaj filluan ta uronin.

Në këtë mënyrë, kur njerëzit që nuk besonin e pyesnin Merjemen se ku e kishte marrë fëmijën, ajo s’thoshte asnjë fjalë por vetëm tregonte djalin, i cili fliste dhe thoshte:

“Nëna ime është një grua e ndershme. O të paditur, mos e turpëroni nënën time të ndershme! Dijeni se Allahu më ka sjellë në botë pa baba! Kjo është një mrekulli e Allahut!”

Pas kësaj, shumë vetë thanë:

“Kjo është një mrekulli e Allahut! Përndryshe si mund të flasë një fëmijë djepi? Me të vërtetë, kjo është prej Allahut; është një ndodhi që tregon madhështinë e tij!”

Megjithatë, një pjesë njerëzish të poshtër vazhduan me shpifjet e tyre:

Në Kuran urdhërohet:

“Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë.” (Merjem, 34)

Përmendja e Isait (a.s.), në ajet, si “Fjala e Vërtetë”, është për shkak se ai u krijua me urdhrin e Allahut “Bëhu!”. Kjo e vërtetë, në një ajet tjetër, shpjegohet kështu.

(Kujtoje) atë që ruajti virgjërinë e saj! Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë dhe e bëmë atë dhe birin e saj mrekulli për gjithë njerëzit.” (Enbija, 91)

*

Të folurit e Isait (a.s.), që në djep, shoi shumë shpifje. Mirëpo, pas një farë kohe, thashethemet dhe shpifjet filluan përsëri. Populli i paditur thoshte:

“A mund të lindë një fëmijë pa baba?”

Më pas thoshin:

“Këtë punë të shëmtuar vetëm Zekerija mund ta ketë bërë!”

Kur Zekerija (a.s.), ndodhej i vetëm në tempull, ata i shkuan me këtë akuzë dhe e sulmuan:

“Ti je ai që ke kryer marrëdhënie me Merjemen!”

Sipas transmetimeve, për të shpëtuar prej të keqes së njerëzve, Zekerija (a.s.), shkoi e u fsheh brenda zgavrës së një druri të madh. Ndërsa shejtani, u shfaq në formë njeriu dhe i tregoi njerëzve të tërbuar se ku ishte fshehur Zekerija (a.s.):

“Ndajeni në dysh me sharrë këtë trung se nuk humbisni gjë! Zekerija ndodhet brenda!”

Njerëzit e tërbuar filluan ta sharronin trungun menjëherë. Kur sharra i preku qafën, profeti i pafajshëm, Zekerija (a.s.), rënkoi lehtë “ah!”, por një zë e thirri:

“O Zekerija! Mos u anko!”

Zekerija (a.s.), i vendosur, i duruar dhe i nënshtruar, u sharrua për gjysmë duke rënë dëshmor pa rënkuar aspak! Ai arriti një pozitë të lartë pranë Zotit!

*

Me qëllim që hebrenjtë e tërbuar, të cilët vranë Zekerijan (a.s.), të mos u bënin dëm edhe Merjemes dhe të birit, Allahu i mori nën mbrojtje:

“Ne e bëmë birin e Merjemes dhe nënën e tij mrekulli për njerëzimin dhe i strehuam rrëzë një kodre të qetë me burime uji.” (Mu’minun, 50)

Thuhet se, vendi ku u strehuan Merjemja me të birin, është Egjipti, ku qëndruan dymbëdhjetë vjet, kohë kjo, gjatë së cilës ndodhën shumë ngjarje të jashtëzakonshme.

Merjemja dhe i biri, jetonin në një shtëpi ku kishte njerëz të varfër e të këputur. Një ditë, të zotit të shtëpisë ku banonin, i humbën një sasi parash. I zoti i shtëpisë, nuk mundi ta kuptonte se kush i kishte marrë paratë. Të gjithë ishin nën dyshim. Kjo gjendje i erdhi shumë rëndë Merjemes. Mes atyre që banonin atje, ishin edhe një i verbër dhe një i paralizuar. Kur Isai vuri re mërzinë e nënës, u thotë atyre të dyve:

“Nxirrni paratë prej atje ku i keni fshehur!”

Dhe ata, para kësaj mrekullie të hapur, u detyruan t’i sillnin paratë. Pas kësaj ngjarjeje, Isai (a.s.), u bë i respektuar mes popullit.

 

[1] – shih: Ungjilli i Mateut, 2/1.

[2] – shih. Muslim, Adab, 9.

Share.

Leave A Reply