Jeta e kësaj bote është plot me dhimbje, vuajtje dhe frikë… Të gjitha llojet e problemeve, vështirësive dhe mundimeve gjenden të ndërthurura me njëra-tjetrën… Njeriu po jeton në një botë të tillë. Përgjatë gjithë jetës përpiqet vazhdimisht, mëngjes e mbrëmje, në të ftohtë e në të nxehtë. Ai përpiqet sikur kjo botë do të jetë gjithmonë e tija…
Ah sikur njeriu ta pyesë një herë veten: Përse jetoj? Përse gjithë këto vuajtje? Sikur njeriu ta dinte qëllimin e të gjitha këtyre përpjekjeve, nuk do t’i mbeste as lodhje, as vuajtje. Kështu nuk do të kishte as probleme, as vështirësi.
Një përpjekje që nuk e ka të qartë qëllimin dhe synimin, sigurisht që nuk ka as kuptim. A do të kishte kuptim jeta, nëse nuk do të ishim të vetëdijshëm se përse kemi ardhur në këtë botë, në cilat kushte po jetojmë dhe se çfarë duhet të bëjmë?
Besimtari e konsideron veten si një udhëtar në këtë botë. Ai beson se kjo botë do të kalojë shpejt dhe se jeta e përhershme është më e mirë. Ai e dëgjon me vëmendje këtë paralajmërim të Zotit (xh.xh.):
“Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje ndërmjet jush e rivalitet për më shumë pasuri dhe fëmijë!..” (Hadid, 20)
Besimtarët e devotshëm e bëjnë kushtetutë të jetës së tyre këtë ferman hyjnor dhe jetojnë duke pasur si synim jetën e përtejme. Ata punojnë për të ndërtuar jetën e ahiretit. Gjithashtu, nuk e harrojnë asnjëherë këtë urdhër të Allahut Teala:
“Prandaj rrekuni me njëri-tjetrin, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe një kopsht të gjerë sa qielli dhe Toka, që është e përgatitur për ata që i kanë besuar Allahut dhe të dërguarve të Tij…” (Hadid, 21)
Në periudhën e Pejgamberit tonë të dashur dhe sahabëve, të cilën e quajmë Epoka e Lumturisë, janë përjetuar probleme dhe vështirësi të ndryshme. Të gjitha këto janë përjetuar për një qëllim dhe synim. Për këtë arsye, sahabët e nderuar me fjalët, gjendjet dhe jetesën e tyre u bënë yje që do të ndriçojnë jetën dhe rrugën e umetit deri në kiamet.
Thonë se pasuria është një pjesë e jetës. Andaj, të japësh prej saj është e vështirë. Por kur qëllimi është kënaqësia e Allahut (xh.xh.), atëherë ajo duhet të flijohet për Të. Vëllazëritë e formuara, ndihmat e bëra dhe lëmoshat e dhëna në Epokën e Lumturisë, janë bërë për këtë qëllim. Edhe pasuria, edhe jeta u flijua për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Njëri prej këtyre trimave që vepruan kështu ishte Abdurrahman ibn Aufi (r.a.).
Abdurrahman ibn Aufi (r.a.), ishte njëri prej tetë trimave të parë që u nderuan me Islam. Ai hyri në Islam nëpërmjet Ebu Bekr es-Siddikut. U përgëzua me xhenet që kur ishte gjallë. Bujaria e madhe ishte cilësia e tij më dalluese.
Kur bëri hixhret në Medine, i Dërguari i Allahut, paqja dhe begatia e Allahut qoftë mbi të, e bëri vëlla me Said ibn Rebian (r.a.). Saidi (r.a.), ishte prej të pasurve të Medines. Ai deshi ta ndante menjëherë pasurinë e tij me Abdullah ibn Aufin, por Abdullahu (r.a.), nuk pranoi. U lut për të si më poshtë dhe ia shprehu dëshirën që kishte me këto fjalë:
“Vëlla! Allahu të dhëntë begati në pasuri, fëmijë dhe familje! Ti vetëm më trego rrugën e tregut. Unë preokupohem pak atje me allishverish dhe i kryej nevojat e mia.”
Kur Resulullahu, alejhi’s-selam, i dëgjoi këto fjalë të Abdurrahman ibn Aufit (r.a.), u gëzua jashtë mase dhe u lut për të. Abdurrahman ibn Aufi (r.a.), u bë i pasur për një kohë të shkurtër. Ai thoshte: “Kudo që lëviz ndonjë gur, nën të gjej flori ose argjend.” Ai me këtë fjalë tregonte begatinë që kishte në tregti dhe i inkurajonte njerëzit për të punuar.
Abdurrahman ibn Aufi (r.a.), i cili i shërbeu të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), me jetën dhe pasurinë e tij, mori plagë në njëzet e gjashtë pjesë të trupit gjatë luftës së Uhudit, por prapë se prapë nuk u nda nga Pejgamberi ynë i nderuar. Ai shpenzoi shumë pasuri në rrugë të Allahut (xh.xh.). Tri herë dha gjysmën e pasurisë së tij. Ai liroi tridhjetë robër prej robërve të luftës ë Uhudit. Abdurrahmani (r.a.), dha të gjithë pasurinë e tij për luftën e Tebukut që ndryshe quhej edhe “Xhejshu’l-Usre”.
Pasi ndërroi jetë Profeti i Zotit (s.a.s.), u shërbeu nënave tona (bashkëshorteve të Pejgamberit). Ai e shiti vreshtin e tij për dyzet mijë florinj. Pastaj të gjithë këto para ua dha bashkëshorteve të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).
* * *
Kur një herë hyri në Medine karvani i tij që përbëhej prej shtatëqind devesh, u bë një zhurmë e madhe. Atë vit në Medine kishte mungesë të theksuar të ushqimit. Nëna jonë, Aishja (r.anha), pyeti: “Çfarë është kjo zhurmë?” Asaj iu përgjigjën:
“Erdhi karvani i Abdurrahman ibn Aufit. Karvani ka sjellë grurë, miell dhe ushqime.” Nisur nga kjo përgjigje, Aishja (r.anha), tha: “Allahu ia ka begatuar ato që i ka dhënë në këtë botë. Ndërsa sevapi në botën e përtejme do të jetë edhe më i madh. Unë kam dëgjuar të Dërgurin e Allahut (s.a.s.), duke thënë për të: “Abdurrahman ibn Aufi do të hyjë në xhenet duke ecur këmbadoras.”
Kur Abdurrahman ibn Aufi (r.a.), dëgjoi për këtë përgëzim, e dhuroi në rrugë të Allahut karvanin e tij të madh prej shtatëqind devesh.
* * *
Ai ishte një njeri shumë bujar. Sa më shumë që i shtohej pasuria, aq më shumë i shtohej edhe bujaria. Dhënia në rrugë të Allahut ishte shndërruar në një kënaqësi për të. Zemra e tij ishte e mbushur me dashurinë ndaj Allahut (xh.xh.) dhe ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Abdurrahmani (r.a.), ishte i ndershëm, i mëshirshëm, i butë dhe shumë bujar. Ai nuk i pati dhënë përparësi kësaj bote ndaj ahiretit dhe nuk i pati dhënë rëndësi mbledhjes e kursimit të pasurisë. Të jetuarit sipas Islamit e pati vënë në plan të parë. Kur zbriti surja Teube dhe i inkurajoi sahabët e nderuar për të dhënë lëmoshë dhe për të bërë mirësi, Abdurrahman ibn Aufi (r.a.), e dha menjëherë gjysmën e pasurisë së tij. Ai dhuroi për bamirësi mijëra florinj.
Për shkak se ai gjithmonë mendonte për ahiretin, frikësohej në mos pasuria do të bëhej shkak për shkatërrimin e tij. Për këtë arsye, një ditë i tha Ebu Selemes: “Shqetësohem se mos pasuria e shumtë do të bëhet shkak për shkatërrimin tim.” Ebu Seleme ia ktheu: “Pasuria që harxhohet në rrugë të Allahut, nuk është e tillë, sepse i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë:
“Janë shkatërruar ata që e shtojnë pasurinë. Përveç atyre që u japin robërve të varfër të Allahut dhe atyre që bëjnë vepra të mira. Për fat të keq, të tillët janë të pakët.”
* * *
Një ditë Abdurrahman ibn Aufi (r.a.), dëgjoi se i Dërguari i Allahut (s.a.s.), kishte thënë: “Abdurrahman ibn Aufi do të hyjë në xhenet duke ecur këmbadoras.” Menjëherë shkoi te Pejgamberi (s.a.s.). I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, e këshilloi duke i thënë: “Jepi karzun hasen/borxh të mirë Allahut. Në sajë të këtij borxhi do të të zgjidhen këmbët.”
Pastaj erdhi Xhebraili (a.s.), dhe i tha të Dërguarit të Allahut: “I thuaj Abdurrahman ibn Aufit të presë mysafirë, të ushqejë të varfrit dhe të mos kthejë asnjë njeri duarbosh kur t’i kërkojnë për t’u dhënë ndonjë gjë. Këto janë shpagim, në mënyrë që mirësia të mos dëmtohet.”
* * *
E pyetën atë: “Si e fitove gjithë këtë pasuri?” Abdurrahman u përgjigj: “Jam kënaqur gjithmonë me pak fitim. Nuk e kam kthyer asnjë klient duarbosh. Madje një ditë e kam shitur një deve pa asnjë vlerë fitimi. Vetëm litarët e saj më ngelën si fitim…”
Abdurrahman ibn Aufi (r.a.), ishte komandanti i ushtrisë që do të shkonte në Dumetu’l-Xhendel. Ky vend ishte afër qytetit të Tebukut dhe qendër e një panairi dhe tregtie të madhe. Pejgamberi ynë i nderuar e urdhëroi Abdurrahman ibn Aufin (r.a.), që ta ftonte në Islam popullin e atjeshëm. Ndërkohë i tha: “Nëse Allahu ta mundëson çlirimin e Dumës, martohu me vajzën e ndonjërit prej parisë së atij vendi!” Resulullahu (s.a.s.), në kohën e agimit i dha flamurin në dorë Abdurrahman ibn Aufit dhe shtatëqind ushtarë nën urdhrin e tij në një vend që quhej Xhuruf dhe që gjendej jashtë Medines. Pastaj e përcolli duke i thënë: “O Ibn Auf! Luftoni të gjithë në rrugë të Allahut dhe sulmojini ata që mohojnë dhe e kundërshtojnë Allahun!”
Atë mëngjes Abdurrahman ibn Aufi (r.a.), kishte vendosur një copë si çallmë në kokë. Pejgamberi ynë i dashur ia hoqi atë nga koka, pastaj ia vendosi përsëri me duart e veta. Ia lëshoi majën e copës së çallmës në mes të supit dhe i tha: “O ibn Auf! Kështu bëje çallmën!..”
Kur Abdurrahman ibn Aufi (r.a.), arriti në Dumetu’l-Xhendel, për tri ditë me radhë e ftoi popullin në Islam. Pastaj mbreti Asbag ibn Amr el-Kelbi u bë mysliman. Gjithashtu shumë njerëz prej popullit të tij u bënë myslimanë. Abdurrahman ibn Aufi (r.a.), u martua me vajzën e mbretit që quhej Tumadir dhe u kthye në Medine. Nga kjo martesë lindi dijetari i madh i fikhut, Ebu Seleme (r.a.).
Aliu (r.a.), transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, alejhi’s-selam, duke thënë për Abdurrahman ibn Aufin (r.a.): “Ti je i sigurt te banorët e qiellit dhe të tokës.”
Abdurrahman ibn Aufi (r.a.), i cili lindi para hixhretit në vitin 580 e.s., ndërroi jetë pas hixhretit në vitin 31 apo 653 e.s. në moshën 75 vjeçare. Namazin e xhenazes ia fali Osmani (r.a.). Ai u varros në Xhennetu’l-Baki.
Allahu qoftë i kënaqur prej tij!
E lusim Allahun që të na mundësojë ta flijojmë pasurinë dhe jetën në rrugën e Tij si këto figura të çmuara. Allahu na bashkoftë me ta në xhenet! Amin!