Abdullah ibn Revaha (r.a.), ishte një trim i njohur si “poeti i të Dërguarit të Allahut”… Ai i përkiste fisit Hazrexh dhe ishte prej fatlumëve që u gjenden në besatimin e parë dhe të dytë të Akabesë… Ai u emërua kryetari i Beni Harithit. U shpjegoi atyre Islamin dhe i përgatiti për besatimin. Pas hixhretit i Dërguari i Allahut (s.a.s.), e bëri atë vëlla me Mikdad ibn Esvedin (r.a.).

Ai kreu shërbime të rëndësishme për mbartjen e Islamit në Medine dhe për përgatitjen e hixhretit të Resulullahut (s.a.s.). Abdullahu nga njëra anë punonte edhe vetë përgjatë ndërtimit të xhamisë Kuba dhe nga ana tjetër thoshte poezi për t’ua hequr lodhjen sahabëve të nderuar. Fjalimet e tij i mbante gjithmonë duke thënë poezi.

Abdullah ibn Revaha (r.a.), i cili mbajti litarin e devesë se Pejgamberit tonë të nderuar përgjatë umres që u bë pas marrëveshjes së Hudejbijes, tha këtë poezi kur hyri në Mekketu’l-Mukerreme:

“O qafirë! Tërhiquni nga rruga e Pejgamberit,

Allahu Teala i ka zbritur atij Kuranin,

Në fenë e tij ka çdo mirësi,

Vdekja më e mirë është vdekja për këtë fe…”

Abdullah ibn Revaha (r.a.), thoshte poezi edhe kur bënte tavaf Qabenë e Shenjtë. Një moment Hz. Omeri nuk rezistoi dot dhe i tha: “O Ibn Revaha! Si mund të thuash poezi para të Dërguarit të Allahut në Haremin Sherif?” Nisur nga këto fjalë, Resulullahu (s.a.s.), i tha Omerit (r.a.):

“O Omer! Mos e ndalo! Betohem në Allahun se fjalët e tij janë më ndikuese se gjuajtja e shigjetave ndaj mushrikëve. O Ibn Revaha! Vazhdo!”

Omeri, radijall-llahu anh, heshti dhe nuk e pengoi më. Abdullah Ibn Revaha (r.a.), i shprehte ndjenjat e tij duke thënë poezi. Pejgamberi (a.s.), i tha atij:

“Thuaj: Nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Ai është i vetmi. Ai e mban premtimin e Tij. Ai e ndihmon robin e Vet.”

Edhe Abdullah ibn Revaha (r.a.), tha:

“Nuk ka zot tjetër përveç Allahut Teala,

Ai nuk ka ortak, la ilahe il-lall-llah,

Ai u jep fuqi ushtarëve myslimanë,

Ai i mposht dhe i shkatërron qafirët…”

Abdullah ibn Revaha (r.a.), i cili ishte i njohur edhe me trimërinë, heroizmin dhe guximin nëpër luftëra aq sa ishte i njohur me poezitë, nuk i dha rëndësi pasurisë dhe pozitës në këtë botë. Ai nuk trembej nga vdekja në çështjen e zbatimit të urdhrave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Ai ishte i dashuruar me vdekjen dhe shprehej: “O nefsi im! Nëse nuk do të vritesh, do të vdesësh!..” Kjo fjalë ishte bërë slogan për të.

* * *

Abdullah ibn Revaha (r.a.), mori pjesë në luftën e Bedrit, Uhudit, Hendekut dhe Hajberit. Ndërsa në luftën e Mu’tes kishte pozicionin e kryekomandantit. Mu’te u bë legjenda e tij. Një pjesë të muxhahidëve myslimanë që ranë në pesimizëm duke parë numrin e madh të ushtrisë së Bizantit, i solli në vete me këtë fjalim:

“O populli im! Për Zotin, ne nuk kemi luftuar me armiqtë ngaqë kemi qenë të shumtë në numër. Ne kemi luftuar vetëm për Islamin i cili e lartëson nderin tonë. Ejani, përparoni tashmë! Ose do të fitojmë, ose do të biem dëshmorë.”

* * *

Abdullah ibn Revaha (r.a.), ishte trim, hero dhe guximtar. Ndërsa po luftonte në një luftë, pothuajse i këputet gishti. Ky gisht që tashmë lëkundej, e pengonte në përdorimin e shpatës. Për këtë arsye, nuk mund ta përdorte lehtë atë. Në një moment zbriti nga kali, e vendosi gishtin nën këmbë, e tërhoqi dhe e këputi duke thënë: “A nuk je vetëm një gisht që po rrjedh gjak? Ti u këpute në rrugë të Allahut…” Ai ishte njeri shumë i devotshëm. Për këtë arsye, luftonte gjithmonë me nefsin. Një herë i tha vetes:

O nefsi im! Sigurisht që do të më bindesh,

Sot do të bie dëshmor në këtë luftë, sepse jam betuar për këtë.

Ose do ta pranosh këtë vendim,

Ose do të të bëj me imponim që ta pranosh.”

Ndërkohë që lufta vazhdonte në tokat Belka në Siri, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), po qëndronte me sahabët në Medine. Papritur Resulullahu (s.a.s.), heshti, mbylli sytë dhe u zhyt në mendime. Pas pak kohe i hapi sytë dhe u drejtua. Shikimi i tij ishte i mbushur me brengosje. Pastaj tha: “Flamurin e mori Zejd ibn Harithe. Ai luftoi derisa ra dëshmor.” Hz. Pejgamberi heshti edhe për pak kohë. Pastaj tha: “Atë e mori Abdullahu. Ai luftoi derisa ra dëshmor.” Pas një heshtje të gjatë, përsëri tha: “Ata u lartësuan pranë meje në xhenet!..”

Sa udhëtim fisnik!..

Sa gradë sublime!..

Sa bashkim i bekuar!..

Ata shkuan të gjithë së bashku në luftë dhe u lartësuan të gjithë së bashku në xhenet.

Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!

Lus Allahun Teala që të na bëjë edhe ne heronj trima si Abdullah ibn Revaha (r.a.)! Allahu na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.