Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), ishte një trim që mori dije dhe urtësi duke i shërbyer të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)… Ai ishte një sahab i ri që u nderua me shërbimin e veçantë ndaj Pejgamberit tonë të nderuar… Ibn Mes’udi (r.a.), ishte një fatlum që kishte leje të hynte në shtëpinë e Resulullahut (s.a.s.), kurdo që të dëshironte… Ai ishte një hero shembull me guximin e trimërinë e tij… Ai e mori kokën e armikut më të tërbuar të Islamit, Ebu Xhehlit dhe ia solli të Dërguarit të Allahut (s.a.s.)…

Në rini kulloste delet, ngaqë ishte i varfër. Sapo pati dëgjuar se kishte ardhur një fe dhe Pejgamber i ri. Zemra i përvëlohej me dëshirën për ta parë këtë Pejgamber, por ja që nuk mund të largohej nga kopeja. Ndërsa po i kalonte ditët me këtë mallëngjim, një ditë papritur e pa të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), para tij. Ai u njoh në këtë mënyrë me Islamin:

Një ditë kur po kulloste kopenë, pranë i shkuan dy burra. Këta dy burra ishin i Dërguari i Allahut (s.a.s.) dhe Ebu Bekri (r.a.). Ata e përshëndetën dhe e pyetën:

“O djalosh! A ke qumësht aq sa të na e shuajë etjen?” Kur Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), u tha se për momentin nuk kishte, Resulullahu (s.a.s.), i tha:

“Më trego një dele shterpë.” Pejgamberi ynë i nderuar ia ledhatoi gjinjtë deles duke thënë “Bismil-lah” dhe bëri një lutje. Pas pak gjinjtë e deles u frynë dhe prej tyre filloi të rridhte qumësht. Ebu Bekri (r.a.), mori një gur nga toka, i cili mund ta mbante qumështin ngaqë ishte i thellë si enë, dhe e moli delen. Një pjesë të qumështit e piu i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Ndërsa pjesën tjetër ia dha Ebu Bekrit (r.a.). Edhe Hz. Ebu Bekri piu dhe ia dha Ibn Mes’udit. Atë që ndodhi më tutje e tregon vetë Abdullah ibn Mes’udi (r.a.):

“Edhe unë piva nga ai qumësht. Pastaj ky burrë i bekuar u tha gjinjve të deles: “Tkurruni!” Gjinjtë e deles u tkurrën dhe morën gjendjen e mëparshme.”

Unë mbeta i habitur duke menduar: “Vallë, që kur kanë filluar delet shterpë të japin qumësht?” Pastaj iu afrova pranë dhe i thashë që të ma mësonte edhe mua atë fjalë.

Ai ma ledhatoi kokën dhe më tha: “Ti patjetër do të mësosh dhe do të bëhesh dijetar.”

Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), tha menjëherë shehadetin kundrejt kësaj ngjarjeje që e dëshmoi me sytë e tij dhe u nderua me Islam. Ibn Mes’udi (r.a.), ia dorëzoi veten të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), për t’i shërbyer gjithmonë.

* * *

Këtej e tutje Ibn Mes’udi (r.a.), nuk u nda aspak nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Qëndroi pothuajse si një hije. Kudo që shkonte Resulullahu (s.a.s.), edhe Ibn Mes’udi (r.a.), gjendej pranë tij. Ai i shërbente Hz. Pejgamberi edhe brenda shtëpisë, edhe jashtë saj. Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), i vishte këpucët Pejgamberit (s.a.s.), i mbante mbulesat, i ruante gjërat, i sillte jastëkun për t’u mbështetur dhe ibrikun për të marrë abdest. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), e donte aq shumë Ibn Mes’udin (r.a.), saqë ai mund të hynte brenda pa marrë leje në kohën e shërbimit. Kjo situatë kishte arritur deri në atë gjendje, saqë ata të cilët vinin nga jashtë, pandehnin se Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), ishte një pjesëtar i familjes së të Dërguarit të Allahut (s.a.s.).

Ibn Mes’udi (r.a.), u edukua në shtëpinë e Resulullahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. Pra, qe arsimuar në shkollën e Hz. Pejgamberit. Për këtë arsye ishte sahabi që e këndonte më së miri Kuranin Fisnik dhe që i perceptonte më së miri kuptimet e tij. Ai u bë burim në dijet e Kiraatit/këndimit të Kuranit, Fikhut dhe Hadithit. Për të flitej kështu:

“Ai ishte njeriu që i ngjante më së shumti të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), në karakter dhe paraqitje.”

Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), ishte një mjeshtër i Kuranit Fisnik i cili i mësoi përmendësh rreth shtatëdhjetë sure duke i dëgjuar pikërisht nga vetë Pejgamberi (a.s.). Hallka e imamllarëve të Kiraatit merr fund me Ibn Mes’udin (r.a.). Të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), i pëlqente shumë që të dëgjonte Kuran prej tij. Madje, Hz. Pejgamberi ka thënë për Ibn Mes’udin (r.a.):

 “Mësojeni Kuranin nga këta katër persona: Ibn Mes’udi, Salimi, Ubeji dhe Muadhi.”

* * *

Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), ishte një hero që u këndoi Kuran haptazi politeistëve në Mekë dhe që i bëri ta dëgjonin. Një ditë sahabët po bisedonin me njëri tjetrin. Ata po thoshin:

“Askush prej nesh përveç të Dërguarit të Allahut nuk u ka kënduar Kuran haptazi politeistëve. Vallë, kush mund të shkojë dhe t’u këndojë Kuran atyre, në mënyrë që t’i bëjë ta dëgjojnë. Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), u tha shokëve të tij:

“Mua t’u këndoj unë.” Sahabët e nderuar i thanë:

“Ne kemi frikë se mos të bëjnë keq. Ai që do t’u këndojë Kuran atyre, duhet të jetë një person që të ketë një fis për ta mbrojtur.” Ibn Mes’udi (r.a.), tha:

“Më lini të shkoj. Allahu Teala do të më mbrojë.”

Ditën e nesërme në kohën e paradites Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), tha Besmelenë dhe filloi të këndonte suren Rrahman në vendin e quajtur Makamu Ibrahim kundrejt politeistëve që po qëndronin në Qabe. Sapo mushrikët e dëgjuan zërin e Ibn Mes’udit, menjëherë e sulmuan atë. Ata filluan ta godisnin në kokë dhe në të gjithë trupin. Ndërsa Abdullahu vazhdoi të këndonte edhe pse po e rrihnin. Ai këndoi sa mundi prej Kuranit me zë të lartë nën grushtet, shkelmat e shuplakat e politeistëve dhe i bëri ata ta dëgjonin. Ai u kthye te shokët e tij me shumë plagë në trup.

Kur sahabët e panë atë që kishte ndodhur, i thanë duke shprehur pikëllimin e tyre: “Ja pra, pikërisht për këtë kishim frikë edhe ne se mund të të ndodhte.” Ndërsa Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), me fuqinë që merrte prej besimit u tha me zë të lartë shokëve të tij sikur të mos kishte ndodhur asgjë:

“Për Zotin! Armiqtë e Allahut asnjëherë nuk i kam parë më të dobët se këtë herë. Nëse dëshironi, mund t’i bëj përsëri nesër në mëngjes që të dëgjojnë Kuran…” Në këtë mënyrë tregoi se nuk e kishte humbur guximin për t’i bërë politeistët të dëgjonin përsëri ndonjë pjesë nga Kurani Fisnik. Ndërsa sahabët e ngushëlluan duke i thënë: “Jo, kaq mjafton për ty. Ti e arrite qëllimin duke i bërë të dëgjojnë atë që nuk e duan…”

Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), i bëri politeistët edhe disa herë të tjera ta dëgjonin Kuranin Fisnik. Ai ua ka kënduar dy herë atyre suren Kalem me zë të lartë. Politeistët e torturuan shumë atë. Pasi këtyre torturave dhe poshtërimeve nuk po u vinte fundi, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i dha leje që të bënte hixhret në Abisini.

* * *

Ibn Mes’udi ka bërë dy hixhrete dhe ka falur namaz nga të dyja kiblat. Ai shfaqi heroizma të mëdha në luftën e Bedrit, Uhudit dhe Hendekut.

Ai kishte një trup mjaft të dobët dhe të shkurtër, por trimëria, guximi dhe heroizmi që shfaqi në luftëra dhe dashuria që kishte për shërbimet fetare, i mundësuan atij të përfitonte në maksimum nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.), i cili ishte burimi i dijes dhe urtësisë.

Një ditë kur Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), po qëndronte së bashku me Resulullahun (s.a.s.), hipi në një pemë për të ulur diçka. Ata që po i shikonin këmbët e holla të tij, filluan të qeshnin. I Dërguari i Allahut, alejhi’s-selam, e lavdëroi atë duke u thënë atyre:

“Pse po qeshni me të? Sevapet dhe shpërblimet e tij në ditën e kiametit do të jenë më të rënda se mali i Uhudit.”

* * *

Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), ishte një trim hero dhe shembull i guximit. Ai ishte sahabi që e mori në kurriz kokën e armikut më të tërbuar të Islamit, Ebu Xhehlit dhe ia solli të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Ky heroizëm si legjendë që shfaqi ai, ndodhi kështu:

Në luftën e Bedrit i Dërguari i Allahut (s.a.s.), tha:

“Vallë, çfarë po bën Ebu Xhehli? Kush mund të shkojë dhe të na sjellë ndonjë lajm prej tij?”

Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), vrapoi menjëherë dhe shkoi në mejdanin e luftës. Ebu Xhehlin e gjeti duke dhënë shpirt. E kapi atë për mjekre dhe i vuri këmbën në fyt për t’i prerë kokën. Në ato momente Ebu Xhehli hapi sytë dhe e pyeti Ibn Mes’udin (r.a.):

“O bari delesh! Ke dalë në një vend shumë të lartë. Cila palë ka fituar?” Ibn Mes’udi (r.a.), iu përgjigj:

“Fitorja u përket myslimanëve.” Ky qafir i madh insistoi në kufrin e tij edhe kur po jepte shpirt duke thënë:

“I thoni Muhamedit se deri më tani kam qenë armik i tij. Ndërsa tani më është shtuar armiqësia edhe një herë më shumë.” Pas këtyre fjalëve, Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), ia këputi kokën atij armiku të tërbuar dhe ia dërgoi shpirtin në xhehenem.

Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), e mori në kurriz kokën që preu dhe e çoi te i Dërguari i Allahut (s.a.s.). Kur Resulullahu, alejhi’s-selam, e pa këtë gjendje të Ebu Xhehlit, tha:

“Ja, ky është Faraoni i këtij umeti.”

* * *

Ibn Mes’udi (r.a.), u emërua si gjykatës në Kufe në periudhën e Omerit (r.a.). Në të njëjtën kohë punoi edhe si mësues i Kuranit atje. Ai u thoshte atyre që e lexonin, njihnin dhe mësonin Kuranin Fisnik:

“Hafizët që mbartin Kuranin, duhet të jenë të butë dhe trima. Ata duhet të jenë gjithmonë seriozë.”

Abdullah ibn Mes’udi (r.a.), qëndroi në Kufe deri në periudhën e Hz. Osmanit (r.a.). Kur Hz. Osmani e ftoi, u kthye në Medinetu’l-Munevvere. Ai ndërroi jetë në vitin 652 e.s. pasi i kishte kaluar të gjashtëdhjetat. Ibn Mes’udi (r.a.), u varros në Xhennetu’l-Baki.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu i Lartësuar na dhëntë të gjithëve mundësinë për t’u shërbyer në formën më të mirë miqve dhe të dashurve të Tij! Zoti (xh.xh.), na e bëftë rrësk shërbimin ndaj fesë! Zoti na dhëntë edhe neve dije, butësi dhe trimëri siç i ka dhënë këtij mjeshtri të Kuranit Fisnik. Allahu Teala na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

Share.

Comments are closed.