Abbad ibn Bishri (r.a.), i cili ka një vend të ndritur në historinë e thirrjes islame, njihej ndërmjet sahabëve të nderuar si “miku i Kuranit”. Ai ka qenë një shembull virtyti në çdo pozitë që është gjendur dhe shërbim që ka kryer.

Ai që e kërkonte atë ndërmjet adhuruesve, do ta gjente si një të devotshëm që e kalonte natën me ibadet dhe këndim Kurani.

Ai që e kërkonte atë ndërmjet heronjve, do ta gjente si një luftëtar trim që luftonte për ta lartësuar emrin e Allahut (xh.xh.).

Ai që e kërkonte atë ndërmjet prefektëve, do ta gjente si një njeri të besueshëm në lidhje me pasurinë e myslimanëve. Kudo që Abbadi (r.a.), është gjendur, është bërë shembull virtyti për të tjerët.

Hz. Aishja ka thënë në lidhje me Abbadin (r.a.): “Prej ensarëve ka pasur tri persona. Askush nuk kishte virtyte më të mira se ata. Që të tre ishin prej Beni Abdi’l-Eshherëve. Ata ishin Sa’d ibn Muadhi, Usejjid ibn Hudajri dhe Abbad ibn Bishri, radijall-llahu anhum.”

Abbadi (r.a.), hyri në Islam nëpërmjet thirrësit të ri mekas, Mus’abit (r.a.). Ai kishte dëgjuar këndimin e këndshëm që Mus’abi i bënte Kuranit. Ky këndim i përkëdhelte zemrat e njerëzve. Për këtë arsye, Abbadi (r.a.), ishte bërë i dashuruar pas Kuranit. Drita e besimit i bashkoi zemrat e këtyre dy të rinjve dhe i bëri ata të ndjenin dashuri kundrejt njëri-tjetrit.

Abbad ibn Bishri (r.a.), veproi përgjatë gjithë jetës me këtë dritë që u fut në zemrën e tij. Ai ia dha Kuranit Fisnik ditën dhe natën. Abbadi (r.a.), e lexonte shumë Kuranin. Këndimin e tij e njihnin të gjithë, sepse ai e këndonte me aq dëlirësi, saqë të gjithë ndjeheshin sikur Kurani sapo kishte zbritur.

* * *

Një natë ai po lexonte Kuran në xhami. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të dhe nëna jonë, Hz. Aishja po falnin namaz në dhomën e tyre. Kur Resulullahu (s.a.s.), e dëgjoi zërin e tij, tha: “Aishe! A nuk është ky zëri i Abbadit?” Ajo iu përgjigj: “Po, o i Dërguari i Allahut.”

Pejgamberi ynë i nderuar u kënaq shumë nga ky veprim i Abbadit (r.a.). Atij i dukej sikur Xhebraili (a.s.), po ia zbriste tani ato ajete. Pejgamberi, alejhi’s-selam, u emocionua nga ky këndim dhe u lut: “O Allah! Fale atë!”

* * *

Abbadi (r.a.), si një mik i Kuranit Fisnik, kurdo që gjente kohë përgjatë udhëtimit, kur ishte në shtëpi apo në çdo lloj vendi tjetër, hapte menjëherë Kuranin dhe e lexonte. Të qëndruarit bashkë me Kuranin ishte mallëngjimi më i madh që kishte. Për këtë arsye, leximi i Kuranit Fisnik ishte gjëja më e ëmbël dhe e këndshme për të. Ai e donte Kuranin më shumë se veten. Kur lexonte Kuran, nuk i pëlqente ta ndërpriste pa e mbaruar suren. Ai preferonte t’i dilte shpirti më shumë se sa t’i ndërpritej Kurani.

Kjo ngjarje që i ndodhi kur po kthehej nga Lufta Dhatu’rr-Rrika, e tregon qartë këtë lidhje me kaq shumë dashuri që Abbadi kishte ndaj Kuranit Famëlartë. Ngjarja ndodhi si më poshtë:

“Kur po ktheheshin nga lufta Dhatu’rr-Rrika, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), u ndal në një luginë për të kaluar natën. Abbad ibn Bishri dhe Ammar ibn Jasiri ishin shpallur vëllezër me njëri-tjetrin. Ata deshën ta kalonin natën së bashku në buzë të luginës. Abbadi e pyeti Ammarin: “Kur dëshiron të flesh natën, i pari apo i dyti?” Ammari (r.a.), iu përgjigj: “Dua të fle i pari.” Pastaj u shtri dhe fjeti gjumë.

Abbad ibn Bishr (r.a.), deshi të preokupohej me ibadet për të përfituar nga heshtja dhe qetësia e natës. Ai filloi të falej duke kënduar suren Kehf. Më pas doli nga vetja dhe u zhyt në namaz me një prehje të madhe shpirtërore. Abbadi i këndonte ajetet kuranore sikur të ishte duke folur me Zotin (xh.xh.). Sa më shumë këndonte, aq më shumë kënaqësi merrte. Në këtë mënyrë, e vazhdonte ibadetin duke ndjerë kënaqësi.

Dikush nga larg e vuri re se Abbad ibn Bishri (r.a.), ishte zhytur në ibadet. Për këtë arsye, i gjuajti me shigjetë. Abbadi (r.a.), e nxori shigjetën që e goditi në trup dhe vazhdoi të këndonte. Ai i gjuajti shigjetën e dytë Abbadit. Abbadi e hoqi edhe atë shigjetë dhe vazhdoi përsëri të këndonte Kuran. Kur ai i gjuajti edhe shigjetën e tretë, Abbadi nuk kishte rrugëzgjidhje. Andaj i thirri shokët të tij. Kur u ngrit Ammari (r.a.), ai vuri re se ishin dy persona. Andaj u largua menjëherë. Kur Ammari e pa Abbadin në atë gjendje, u shpreh i mahnitur:

“Subhanall-llah/ Pa të meta është Allahu! Çfarë të ka ndodhur, o Abbad? Pse nuk më zgjove kur ai të gjuajti me shigjetën e parë?” Abbadi, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, iu përgjigj:

“Nuk desha ta ndërprisja suren që kisha filluar të këndoja. Betohem në Allahun se preferoj më shumë të më merret shpirti, se sa të më ndërpritet këndimi i Kuranit.”

Ja pra, kështu ka qenë lidhja e sahabëve të nderuar me Kuranin Fisnik. Miqësia me Kuranin ishte më primare se shqetësimi për jetën. Jetën e sahabëve e zbukuronin momentet që kalonin duke lexuar Kuranin. Një jetë pa Kuran ishte e paimagjinueshme për ta. Të gjithë ata njerëz yje jetuan në këtë mënyrë. Edhe neve na janë bërë shembuj të mrekullueshëm. Lum për ata që ndjekin gjurmët e tyre!..

* * *

Abbad ibn Bishri (r.a.), ishte një trim që luftonte me heroizëm edhe në mejdanin e luftës. Ai, si një ushtar lufte që ishte, nuk u largua asnjëherë nga i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të,.

Abbadi (r.a.), pati marrë pjesë në ushtrinë që u dërgua kundër Musejlemesë në kohën e Ebu Bekrit (r.a.). Ai shfaqi heroizëm të madh në këtë luftë. Natën që do të bëhej sulmi i fundit, në kishte parë ëndërr qiellin duke u hapur dhe duke e marrë atë brenda. Kur erdhi mëngjesi, ia tregoi ëndrrën e tij Ebu Said el-Hudriut (r.a.). Pastaj tha: “Për Zotin, kjo do të thotë se do të bie dëshmor, o Ebu Said.”

Sulmi filloi. Abbad ibn Bishri (r.a.), vriste çdo politeist që i dilte përpara. Në këtë mënyrë, depërtoi ndërmjet rreshtave dhe arriti deri afër Musejlemesë.

Musejleme dhe ndihmësit e tij u strehuan në një bahçe. Atë ditë në atë bahçe u vranë me qindra politeistë me në krye Musejlemenë.

Pas asaj dite ky kopësht u quajt “kopshti i vdekjes”.

Edhe Abbad ibn Bishri (r.a.), ra dëshmor aty. Ky mik dëshmor i Kuranit Fisnik të cilit nuk i njihej trupi për shkak të goditjeve që kishte marrë prej shpatave, heshtave dhe shigjetave, u njoh vetëm në sajë të një nishani që kishte pasur në trup.

Allahu qoftë i kënaqur prej tij!

Allahu Teala na mundësoftë të gjithëve që të bëhemi të dashuruar pas Kuranit dhe miq të Tij pikërisht si Abbad ibn Bishri (r.a.)! Zoti (xh.xh.), na bashkoftë me të në xhenet! Amin!

 

Share.

Leave A Reply