I cili është bërë simbol i sinqeritetit, besnikërisë, dorëzimit dhe nënshtrimit të plotë ndaj Zotit.
Ismaili (a.s.), është prej profetëve, emri i të cilëve përmendet në Kuran. Ndryshe ai njihet edhe me emrin “Zebiullah”, që do të thotë “Kurbani i Allahut”. Ai ka qenë profet i fisit Xhurhumi të ardhur nga Jemeni dhe të vendosur në zonën e Hixhazit. Kuptimi i emrit Ismail, është “i bindur ndaj Allahut”. Në hebraisht shqiptohet “Ishmael”. Ndërsa arabët e shqiptojnë “Ismail”.
Ismaili (a.s.), është rritur së bashku me fëmijët e Xhurhumëve dhe prej tyre ka mësuar të gjuajë me shigjetë. Në moshën e rinisë, gjuante shumë mirë me shigjetë dhe gjithmonë godiste në shenjë.
Gjatë kohës së Profetit tonë (a.s.), një grup prej fisit Eslem organizoi një garë me hedhje shigjete. Me këtë rast, ata shkuan tek Profeti ynë (a.s.) dhe i thanë:
“O bijtë e Ismailit! Gjuani me shigjetë! Edhe stërgjyshi juaj ka qenë shumë i aftë në gjuajtjen me shigjetë!..” (Buhari, Enbija, 9.)
Pas vdekjes së babait të tij, Ibrahimit (a.s.), Ismaili (a.s.), vazhdoi të kryente shërbimet e Qabes dhe të Haxhit. Si fillim, ai mbuloi Qaben me një mbulesë. Pastaj Allahu i Madhëruar i dha profecinë, duke e dërguar si profet tek fiset Xhurhum dhe Amalika që jetonin në rrethinat e Mekës dhe tek fiset jemenase, që jetonin në Me’rib dhe Hadrameut.
Ismaili (a.s.), i ftoi ata në fenë e vërtetë për pesëdhjetë vite rresht. Disa i besuan, ndërsa disa të tjerë nuk i besuan. Megjithatë, ata që i besuan ishin shumë të paktë. Ismaili (a.s.), ishte shumë i durueshëm dhe i qëndrueshëm në kryerjen e detyrës së tij.
Lidhur me besnikërinë e Ismailit (a.s.), urdhërimin për namazin dhe zekatin dhe arritjen e kënaqësisë së Allahut, nga ana e tij, në Kuran thuhet:
“Trego në Libër për Ismailin! Vërtet, ai ishte i sinqertë në premtimet e veta, ishte i dërguar dhe profet. Ai e urdhëronte popullin e vet që të falte namazin e të jepte zekatin dhe ishte i mirëpritur te Zoti i vet.” (Merjem, 54-55)
Mrekullitë e Ismailit (a.s.):
- Tokën me ferra, e ka kthyer në tokë të gjelbëruar.
- Në sajë të lutjes së tij, delet shterpa kanë dhënë qumësht, ndërsa leshi i tyre është bërë si mëndafsh.
- Përsëri në sajë të lutjes së tij, rëra përreth tij është kthyer në miell.
- Ai ka qenë një prej shkaqeve të daljes së ujit të Zemzemit, i cili do të vazhdojë të rrjedhë deri në Ditën e Kiametit.
Karakteristikat më të spikatura të Ismailit (a.s.), kanë qenë: durimi, butësia, dorëzimi dhe nënshtrimi ndaj Allahut.
Haxhi, mbështetja dhe dorëzimi tek Allahu
Kur përmenden fjalët haxh, mbështetje dhe dorëzim tek Allahu, në fillim të vjen në mend Ibrahimi (a.s.) dhe djali i tij Ismaili (a.s.). Kjo, sepse adhurimi i haxhit, ka filluar si rezultat i punëve të tyre të sinqerta dhe është një vepër e mirë, që do të vazhdojë të kryhet deri në Ditën e Kiametit.
Fjala “mbështetje tek Allahu”, përmbledh në vete jo vetëm mbështetjen, por edhe sigurinë dhe besimin tek Allahu. Me fjalë të tjera, do të thotë të marrësh Allahun si mbrojtës dhe kujdestar absolut. Mirëpo, të mbështetesh tek Allahu, nuk do të thotë të mos marrësh masa apo të mos përpiqesh, por përkundrazi, pasi të marrësh masat dhe të bësh përpjekjet e duhura, të mbështetesh plotësisht tek Allahu. Në Kuran, urdhërohet:
“…Besimtarët le të mbështeten vetëm tek Allahu!” (Ibrahim, 11; Teube, 51.)
“…Në qoftë se jeni besimtarë, atëherë mbështetuni tek Allahu!” (Maide, 23)
وَمَن يَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّـهِ فَهُوَ حَسْبُهُ
“…Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai!..” (Talak, 3)
Ndërsa në një hadith fisnik, thuhet:
“Nëse ju do t’i mbështeteshit Allahut ashtu siç duhet, do të furnizoheshit si zogjtë, të cilët në mëngjes dalin me barkun bosh dhe në mbrëmje kthehen të ngopur!” (Tirmidhi, Zuhd, 33.)
Allahu i Madhëruar, urdhëron:
“…Këshillohu me ata (besimtarët) për çështje të ndryshme! Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu!..” (Al-i Imran, 159)
*
Allahu i Madhëruar ka krijuar gjithçka dhe i ka vendosur rregullat e duhura. Dhe, për vazhdimësinë e këtyre rregullave, ka vendosur disa ligje. Pasi t’i kemi respektuar rregullat dhe ligjet që ka vënë Allahu dhe të kemi marrë masat e duhura, duhet të mbështetemi tek fuqia e Allahut. Mirëpo, nëse do, Allahu i Madhëruar mund t’i realizojë gjërat edhe jashtë ligjeve të natyrës të cilat i ka vënë Vetë. Kështu që:
– Ademin (a.s.), e krijoi nga dheu. Ndërsa shoqen e tij Havanë, e krijoi prej trupit të tij.
– Isain (a.s.), e krijoi pa baba, nga Merjemja, përkundër rregullave të shumimit njerëzor me anë të martesës.
– Ibrahimin (a.s.), nuk e dogji në zjarrin e Nemrudit duke urdhëruar zjarrin: “O zjarr! Bëhu i freskët dhe shpëtim për Ibrahimin!..”
– Me një prekje të shkopit, e bëri Musain (a.s.), të çajë detin, duke hapur rrugë për të kaluar në bregun tjetër. Ndërsa Musain dhe popullin e tij, e shpëtoi prej mizorisë së faraonit.
– Uzejrin (a.s.), e mbajti thuajse të vdekur për njëqind vite; ndërkohë ushqimin pranë tij e mbajti të freskët, ndërsa eshtrat e gomarit të tij të ngordhur i veshi me mish dhe e ngjalli së bashku me Uzejrin (a.s.).
– Shokët e shpellës (as’habu kehf), së bashku me qenin e tyre i mbajti në botën e gjumit pa ushqim dhe pa ujë për treqind e ca vite.
Allahu i Madhëruar, ka fuqi të bëjë dikë të ecë mbi ujë ose të fluturojë pa krahë në ajër. Ai, shumë njerëzve ua ka mbyllur sytë për këtë botë, por duke ua ndriçuar zemrat me dritën e Vet, ua ka bërë zemrën sy të shpirtit. Në këtë mënyrë, i ka bërë zemrat të shohin atë që nuk mund ta shohin me sy.
Mirëpo, duhet pasur shumë kujdes në një pikë:
Askush nuk duhet të marrë shembull zjarrin që nuk e dogji Ibrahimin (a.s.), e të presë që e njëjta gjë të ndodhë edhe me të. Mevlana Xhelaleddin Rumi, këtë e shpjegon në këtë mënyrë:
“Në rrugë të Allahut mund të hysh edhe në zjarr. Por para se të hidhesh në zjarr, më parë shiko a ke ndonjë cilësi të Ibrahimit! Sepse zjarri njeh dhe nuk djeg Ibrahimët, e jo ty!..”
Shkurtimisht, nëse dikush e krahason veten me miqtë e Allahut, të cilët kanë grada të larta, kjo tregon një injorancë të hapët. Dhe atë njeri, nuk e pret asgjë tjetër përveçse një përfundim i hidhur.
Detyra jonë, është të marrim masat brenda mundësive, të kërkojmë zgjidhjet dhe më në fund të strehohemi tek Allahu, duke u mbështetur tek Ai.
Profeti ynë (a.s.), e ka ndaluar mbështetjen tek Allahu pa marrë asnjë masë. Lidhur me këtë, transmetohet se:
Një beduin, e pyet Profetin (a.s.):
“O i Dërguar i Allahut! A ta lëshoj devenë dhe të mbështetem tek Allahu, apo ta lidh e të mbështetem tek Ai?”
Profeti ynë (a.s.), iu përgjigj:
“Lidhe devenë, pastaj mbështetu tek Allahu!..” (Tirmidhi, Kijamet, 60.)
Kur Omeri (r.a.), u bë halife, ai nuk pranoi të shkojë bashkë me ushtrinë e tij në Damask, ku ishte përhapur një sëmundje ngjitëse. Për këtë arsye, komandanti i ushtrisë, Ebu Ubejde bin Xherrah (r.a.), i thotë:
“O Halife! A po ikën prej kaderit (caktimit) të Allahut?”
Ndërsa Omeri (r.a.), i përgjigjet:
“…Po! Ne po ikim prej një kaderi të Allahut, në një kader tjetër të Tij!..” (shih. Muslim, Selam, 99.)
Në fakt, në një hadith fisnik, Profeti ynë (a.s.), ka urdhëruar ruajtjen nga sëmundjet ngjitëse:
“…Nëse dëgjoni se diku është përhapur murtaja, mos shkoni aty!” (Muslim, Selam, 100.)
*
Allahu është ndihmësi i besimtarit në të dy botët. Kush i dorëzohet Allahut, Ai i mjafton atij. Kënaqësia dhe lumturia individuale dhe shoqërore janë tek kthimi kah Ai, tek kërkimi i ndihmës prej Tij dhe tek dorëzimi tek Ai!
Fjala “dorëzim”, nënkupton nënshtrimin ndaj Allahut dhe pranimin e gjithçkaje që vjen prej Tij pa kundërshtuar.
Ibrahimi (a.s.), në zemrën e tij nuk i kishte lënë vend askujt dhe asgjëje tjetër veç Zotit. Mirëpo melekët i patën thënë Zotit:
“O Zot! Ibrahimi ka shpirt, ka fëmijë dhe pasuri. Si mund të të bëhet mik Ty?”
Por Allahu i Lartë, u kishte treguar melekëve se Ai e kishte sprovuar Ibrahimin (a.s.), me pasuri, fëmijë dhe jetën e tij dhe se ai i ishte dorëzuar Atij pa asnjë kundërshtim. Në sajë të begatisë së kësaj bindjeje dhe dorëzimi, Ibrahimin (a.s.), nuk e penguan nga rruga e Allahut as jeta, as pasuria dhe as fëmija. Kjo, sepse gjuha e Ibrahimit (a.s.), si përkthyese e zemrës së tij, thoshte gjithmonë: “Unë i jam dorëzuar Zotit të botëve!..” (Bekare, 131)
Këto sprova dhe përfundimet e tyre, do të jenë shembull për të gjithë njerëzimin deri në Ditën e Kiametit.
*
Haxhi, që është simboli i dorëzimit dhe nënshtrimit të Ibrahimit (a.s.) dhe Ismailit (a.s.), është hyrje në një atmosferë faljeje, në dorëzim dhe nënshtrim, duke u zhveshur prej atributeve njerëzore. Haxhi, është detyra e devotshmërisë së një zemre të mbushur plot dashuri hyjnore. Adhurimi i haxhit, është zhveshja e robit prej të gjitha gradave të kësaj bote dhe përgjërimi ndaj Zotit të vet, duke lënë zbathur kokën dhe këmbët dhe duke u mbuluar vetëm me dy copa beze lart dhe poshtë. Në këtë mënyrë, njeriu lidhet mbas Krijuesit të tij me një dorëzim të plotë. Lidhur me këtë, në Kuranin Fisnik, urdhërohet:
“Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!” (Bekare, 197)
Gjatë periudhës nën ihram[1], nuk do të shkulet as edhe një fije bari e asnjë qime floku dhe nuk do të gjuhet apo vritet asnjë krijesë çfarëdo qoftë. Nuk ka marrëdhënie intime apo edhe të flitet rreth kësaj teme, nuk ka shkelje të urdhrave të Allahut dhe nuk ka grindje e luftë. Por ka vetëm dashuri dhe delikatesë ndaj krijesave të tjera për hir të Krijuesit!
Ja pra, edhe adhurimi i haxhit na tregon se falja e mëkateve realizohet vetëm me begatinë e një adhurimi të bërë pas lutjes, dorëzimit dhe nënshtrimit!
Zoti na mundësoftë një jetë në dorëzim dhe nënshtrim! Vetëm Ai qoftë për ne mbështetje e strehim! Dhe na e mundësoftë një haxh të ndjerë me gjithë zemër
[1] – Koha kur haxhiu është veshur me rrobën përkatëse të haxhit (ihramin), e deri sa ta heqë atë pas kryerjes së të gjitha obligimeve të haxhit.